Andrea Belotti duket se është i përzgjedhuri i Jose Mourinhos për të udhëhequr repartin e avancuar të Romës, skuadër që do të drejtojë sezonin e ardhshëm. Lajmi është dhënë nga mediat italiane, teksa palët kanë nisur tashmë negociatat.
Aktualisht sulmuesi është i grumbulluar me Italinë për të marrë pjesë në Kampionatin Europian, por nëpërmjet agjentit të tij ka dhënë miratimin paraprak për t’u bërë pjesë e verdhekuqve duke nisur nga kjo verë.
Kontrata e Belottit me Torinon skadon në fund të sezonit të ardhshëm dhe tentativat e skuadrës “granata” për të rinovuar, kanë dështuar, pasi sulmuesi ka qenë i prerë, duke konfirmuar dëshirën e tij për të luajtur në nivele të larta. Pikërisht për këtë arsye presidenti Urbano Cairo ka vendosur ta shesë sulmuesin që këtë verë, për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë, megjithatë bosi i Torinos dëshiron që fillimisht të mbarojë Europiani, me shpresën se Belottit mund t’i rritet më shumë vlera.
Aktualisht Roma duket e predispozuar të paguajë rreth 30 milionë euro për çmimin e kartonit të sulmuesit, megjithatë situata mund të ndryshojë nëse në garë përfshihen edhe klube të tjera, që mund të krijojnë një ankand ku çmimi mund të rritet shumë më tepër.
Top Channel