Hungaria: Negociatat pa kushte/ Rama merr mbështetjen e Orban: Do të bëjmë maksimumin për anëtarësim sa më shpejt

08/06/2021 19:45

Një ditë para se Parlamenti të mblidhet në një votim të paprecedentë për shkarkimin e Presidentit te Republikës, kryeministri Edi Rama u shfaq entuziast krah homologut hungarez, pasi siguroi mbështetjen  e tij në rrugëtimin europian.

“Jemi të bindur që pa ofruar mundësi anëtarësimi për këtë pjesë të kontinentit europian, nuk mund të stabilizohemi, qoftë sa i takon ekonomisë, por dhe aspektit politik në atë pjesë.  Do të doja të theksoja edhe një herë, që Hungaria është plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për të arritur anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte të tjera dhe Hungaria do të bëjë maksimumin”, tha kryeministri Viktor Orbán.

Shumë shpejt  Shqipëria dhe Hungaria festojnë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, por  themeli i miqësisë  mes dy vendeve  për kryeministrin shqiptar daton shumë më herët.

Siç e tha Kryeministri, miqësia jonë është e vjetër tashmë, por miqësia shqiptaro-hungareze është shumë më e vjetër sesa mendojnë njerëzit. Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golashënuesin më të mirë të Ferencvárosi-t, kështu që ka shumë më tepër për t’u bërë”, tha Rama.

Në shenjë miqësie në parkun qendror të kryeqytetit hungarez pritet të vendoset  busti i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Top Channel