“Ligji i parë në parlament”/ Nishani kërkon vetting për politikanët: Kush nuk justifikon shtëpinë apo llogarinë bankare, konfiskim!

06/06/2021 10:23

Ish Presidenti Bujar Nishani ka kërkuar vetting për politikanët teksa ka zhvilluar një takim me demokratët në Mat, ku ndodhej krah kandidates për kreun e PD, Edith Harxhi.

Nishani tha se këtë ligj duhet ta miratojë parlamenti i ardhshëm për të rikthyer besimin e njerëzve tek politika. Ish presidenti shtoi se nëse nuk miratohet në parlament, të arrihet nëpërmjet referendumit.

Nishani: Një muaj fushatë nuk folëm dhe denoncuam me dhjetëra raste korrupsioni dhe hajdutërie, nuk folëm. Çfarë të bëjmë për të kthyer besimin e njerëzve? Parlament ligji i parë; Vetting, hetim dhe konfiskim i çdo luge dhe piruni që ke t’i ke shtëpia si politikan, që nuk e justifikon me paratë që ke marrë në gjithë këto vite.

Dhe jo vetëm këta që janë atje, por çfarë kanë qenë, president, kryeministër, ministër deputet, çfarë kanë qenë në 10 vitet e fundit. Nuk e miraton Edi Rama? Referendum.

Që kush kanë qenë 10 vitet e fundit njerëz që kanë pasur pushtet, të gjithë në skaner dhe kush nuk e justifikon shtëpinë, llogarinë bankare apo makinën, konfiskim. Po e bën Kosova sot. Të bëhesh vetë pasqyrë dhe objekt i verifikimit të dalësh vetë i pari në dritën e diellit.

Ndër të tjera, ish presidenti, i cili shpesh ka kritikuar kryetarin aktual të PD, Lulzim Basha për rezultatin e humbjes nga zgjedhjet e 25 prillit tha se “fataliteti i ka kapur për fyti” pasi janë hequr nga puna mijëra demokratë gjatë 8 viteve opozitë.

Nishani: Kur kam pësuar unë dëshpërim të thellë, imagjino si janë mijëra e mijëra të tjerë. Unë kam arritur, kam marrë maksimumin në karrierën time politike, ministër, president dhe nuk prisja që nga fitorja të merrja ndonjë tjetër, por mbi të gjitha është dëshira politike dhe që miqtë dhe shokët e mi do të drejtojnë nesër Shqipërinë. 8 vite në opozitë mijëra njerëz janë hequr nga puna se janë demokratë. Jemi në një situatë s’po dimë ku të shkojmë. Fataliteti na ka kapur prej fyti.

Top Channel