Qendra e re shëndetësore në Cërrik/ Balla: I shërben rreth 800 banorëve të zonës

05/06/2021 11:17

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Cërrikut Andis Salla inaguruan qendrën e re shëndetësore të fshatit Lumas, e cila u shërben rreth 800 banorëve të zonës.

Balla në fjalën e tij tha se prej kohësh banorët e fshatit Lumas e kishin kërkuar një shërbim të tillë dhe me mbështetjen e qeverisë së Kuvajtit tashmë e kemi realizuar.
Ai theksoi se “edhe pse jemi duke e fituar betejën me pandeminë, investimet në shëndetësi janë investimet më të rëndësishme”.

Kjo është qendra e tretë në këtë bashki. Janë qendra shëndetësore me një cilësi shumë të lartë, ndërkohë që koha e ndërtimit është shumë e shkurtër. Punimet filluan para dy javësh dhe sot është tërësisht e përfunduar dhe stafi mjekësor këtu do të ketë mundësinë të ofrojë shërbime adekuate dhe në cilësinë e duhur”, tha Balla.

Ai tha se “kjo gjë na mungonte në këtë fshat që është një fshat i madh, por tashmë qendra shëndetësore është fjalë e mbajtur”.

I jemi shumë mirënjohës qeverisë dhe popullit të Kuvajtit, Emirit, që mbeten gjithmonë një mik i Shqipërisë dhe që kanë gjetur një instrument të duhur të financimit. Sigurisht që dua tu them shumë fshatrave të tjerë që janë në projektet tona për të garantuar që të bëjmë një rrjet të ri qendrash shëndetësore. Këtu në Cërrik kemi bërë një histori të madhe suksesi, kemi ndërtuar pothuajse në të gjitha fshatrat qendra shëndetësore apo ambulanca të një cilësie shumë të lartë”, u shpreh Balla.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel