Vetëm tre ditë pas fitores bindëse 4-1 ndaj San Marinos, Kosova regjistron një tjetër sukses, këtë herë me rezultatin 2-1 në miqësoren e radhës ndaj Maltës, ndeshje që u zhvillua në fushën asnjanëse të Klagenfurtit, në Austri.
Trajneri Challandes nuk pati në dispozicion disa prej titullarëve për këtë sfidë, përfshi këtu edhe sulmuesin Vedat Muriqi, që shënoi 4 herë në sfidën ndaj San Marinos, teksa e nisi sfidën me treshen sulmuese Kastrati, Rashica e Zeneli.
Sfida u zhbllokua në minutën e 19’ nga ana e Milot Rashicës, që sot luajti si një sulmues i fshehtë dhe pas një asisti të marrë nga ana e Lirim Kastratit, gjuajti saktë duke dërguar topin në rrjetën e maltezëve. “Dardanët” dominuan pjesën e parë dhe krijuan edhe mundësi të tjera shënimi, por nuk ia dolën, ndërsa maltezët gjetën golin e barazimit në shtesën e pjesës së parë me anë të Dimech, i cili shënoi me gjuajtjen e parë në portën e Visar Bekajt.
Pjesa e dytë pati një tablo të ngjashme me të parën, me Kosovën protagoniste, por që hasi në një mbrojtje të ngjeshur të maltezëve, që shpesh provonin të zbresin në kundërsulm, por pa arritur të vënë në vështirësi Bekajn. Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, mbrojtësit e Maltës e tepruan me kombinimet mes njëri-tjetrit dhe në një moment gabimi përfitoi maksimalisht Rashica, duke shënuar golin e dytë personal, por edhe për Kosovën.
Minutat e fundit ishin mjaft interesante, me Maltën që u hap dhe u hodh në kërkim të golit të barazimit, por dy tentativa radhazi të tyre u ndalën nga ana e portierit Visar Bekaj, që dha gjithashtu kontributin e tij në këtë fitore të “Dardanëve”.
Top Channel