Me 11 gola në 36 ndeshje në kampionatin holandez me Vitessen, Armando Broja ka tërhequr vëmendjen e trajnerit të Chelsea-t, Thomas Tuchel, që duket se ka vendosur të rikthejë në “Stamford Bridge” sulmuesin e kombëtares shqiptare.
Olivier Giroud ka vendosur të largohet pasi i përfundoi kontrata dhe Tammy Abraham nuk gëzon besimin e trajnerit gjerman, i cili e ka aktivizuar shumë pak gjatë këtyre muajve, ndaj gjasat janë që të shitet gjatë merkatos së verës.
Në këto kushte Chelsea po kërkon për zgjidhjen brenda shtëpisë, pasi ka pronësinë e kartonit të Armando Brojës, i cili është rritur pikërisht te moshat e klubit londinez dhe ka kontratë me ta deri në verën e ardhshme. Aktualisht Broja është i grumbulluar me Shqipërinë U21 për ndeshjen me Andorrën dhe më pas do t’i bashkohet Shqipërisë së Rejës për miqësoren ndaj Republikës Çeke, teksa pas këtyre angazhimeve pritet të fluturojë drejt Londrës.
Aty sulmuesi 19-vjeçar pritet të takohet me drejtuesit e Chelsea-t, që janë gati t’i ofrojnë një kontratë të re, për të blinduar sulmuesin shqiptar për të paktën 4 sezonet e ardhshme dhe natyrisht me një pagë ndjeshëm më të lartë.
Objektivi i kampionëve në fuqi të Europës është që të afrojnë një sulmues me peshë si Lukaku apo Harry Kane në “Stamford Bridge”, ndërsa Broja do të jetë zëvendësuesi i parë i tij, për t’u përfshirë gradualisht në formacion.
Top Channel