Ndarja nga jeta e Pirro Manit/ Meta i shpreh ngushëllimet familjes: Aktor dhe regjisor i niveleve të jashtëzakonshme!

03/06/2021 16:19

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Pirro Manit, një nga personalitetet më të shquara në historinë e teatrit shqiptar.

Kreu i Shtetit shkruan se Pirro Mani ishte aktor dhe regjisor i niveleve të jashtëzakonshme, ndërkohë që ka luajtur dhe ka vënë në skenë dhjetëra role e shfaqje.

Meta i ka shprehur ngushëllimet e tij familjes Mani, duke e cilësuar ndarjen e tij nga jeta si një “humbje e madhe që lëndoi të gjithë”.

“Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të Pirro Manit, njërit prej personaliteteve më të shquara në historinë e teatrit dhe të filmit shqiptar.

Aktor dhe regjisor i niveleve të jashtëzakonshme, si dhe pedagog i shkëlqyer për dekada, ai luajti dhe vuri në skenë me dhjetëra role dhe shfaqje , për t’u nderuar me shumë çmime dhe fituar duartrokitjet e respektin e merituar të artdashësve, duke lënë pas një trashëgimi të vyer kulturore, që na bën krenar të gjithëve dhe që përherë do të mbetet një shembull frymëzimi për brezat e artistëve të rinj.

U shpreh ngushëllimet më të ndjera Pavlinës dhe familjes Mani, të afërmve dhe të gjithë komunitetit të artistëve për këtë humbje të madhe, që na lëndoi sot të gjithëve.

Të prehet në paqen e merituar!” shkruan Presidenti Meta.

Top Channel