Ronald Koeman do të jetë trajner i Barçës edhe sezonin e ardhshëm. Presidenti i klubit, Joan Laporta, tha se trajneri holandez do të vazhdojë ta drejtojë ekipin “blaugrana”, vendim që i mor pas takimit të fundit mes tij, zëvendëspresidentit Rafael Yuste dhe drejtorit të futbollit, Mateu Alemany. Trajneri holandez do të përmbushë kontratën e tij, e cila përfundon në qershor 2022.
Pas një sezoni me ulje-ngritje, nën drejtimin e Koemanit Barça fitoi Kupën e Mbretit, ndërsa titullin e LaLigas e humbit në javët e fundit. Gjithsesi, Laporta, pasi nuk gjeti një alternativë më të besueshme, vendosi për vazhdimësinë e holandezit.
Në fakt, në shtatë vitet e tij në epokën e parë se president nga 2003 deri më 2010, Laporta emëroi vetëm dy trajnerëve: Frank Rijkaardin dhe Pep Guardiolën. Me këtë të fundit niveli i Barcelonës shkoi në nivel tjetër, duke dhuruar spektakël dhe fituar trofe të shumtë.
“Ne do të vazhdojmë kontratën aktuale që ka Ronald Koeman. Jemi shumë të kënaqur, sepse bisedimet kanë rezultuar në një unitet kriteresh për atë që duhet të bëhet gjatë sezonit,” – tha Joan Laporta. – “Ka qenë një marrëdhënie e sinqertë, e drejtpërdrejtë. Ishte e nevojshme që ne të kishim këtë periudhë për t’u njohur me njëri-tjetrin. Dua të theksoj sjelljen e patëmetë të trajnerit tonë. Ai na ka provuar se është trajner i shkëlqyeshëm. Ai është më i miri për Barçën. E shoh atë shumë të motivuar dhe të ngazëllyer.”
Top Channel