Basha: Zgjedhjet u vodhën!/ Rivali i tij, Agron Shehaj mendon se humbja erdhi nga vendimet e PD

03/06/2021 15:30

Paralelisht me turin e takimeve me demokratët në bazë, Lulzim Basha ka nisur lobimin te ndërkombëtarët për t’i bindur se zgjedhjet në 25 prill janë vjedhur.

Ne as i njohim dhe as nuk do ta pranojmë kurrë masakrën zgjedhore të 25 prillit. Ne do t’i bindim aleatët tanë për masakrën zgjedhore, për vjedhjen më të madhe industriale të votave në histori dhe do të përgatisim bashkë me ta shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin”, u shpreh Basha.

Takimet me ndërkombëtarët i ka nisur edhe një tjetër kandidat. Agron Shehaj, i cili zhvilloi një ditë me parë një bisede me ambasadoren Yuri Kim, ndan një qëndrim të ndryshëm me atë të kryetarit për humbjen e zgjedhjeve

Ne nuk humbëm se nuk bëme revolucion, ne humbëm për shkak të vendimeve të gabuara të kreytarit, duke nisur nga djegia e mandateve”, tha Shehaj.
Të njëjtën bindje kanë edhe kandidatët Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, të cilët akuzojnë Lulzim Bashën për garë të pabarabartë.

Ndryshe nga sa ndodhi në vitin 2017, ku dy kandidatët për kreun e PD-së dolën bashkë para demokratëve në disa degë të partisë, këtë herë Lulzim Basha ka shmangur përballjet me rivalët e tij me argumentin se çdo përplasje e brendshme heq vëmendjen nga kundërshtari kryesor, i cili është Edi Rama.

Top Channel