Roma e Jose Mourinhos nis të marrë formë dhe gjithçka ka filluar me konfirmimin e Heinrik Mkhitaryan. Fantazisti armen, të cilit i përfundonte kontrata me verdhekuqtë në qershor të këtij viti, ka vendosur të qëndrojë edhe për një tjetër sezon në kryeqytetin italian.

I ardhur te Roma në 2019-ën, Mkhitaryan ka bërë paraqitje mbresëlënëse, me 23 gola të shënuar në 73 ndeshje, ndërsa sot verdhekuqtë arritën marrëveshjen me menaxherin e tij Mino Raiola, për të rinovuar edhe për një tjetër sezon.

“Në këto dy vite me fanellën verdhekuqe, Roma më ka bërë për vete si skuadër dhe si qytet, me pasionin e jashtëzakonshëm të tifozërisë. Ambiciet e shoqërisë janë shumë të mëdha dhe jam shumë krenar që do të kem mundësinë të jap kontributin tim në sfidat që na presin sezonin e ardhshëm”, tha Mkhitaryan pas firmës mbi kontratën e re.

Përveç firmës me armenin, drejtuesit e Romës shfrytëzuan takimin me Raiolën edhe për t’u futur zyrtarisht në garë për shërbimet e portierit Giggio Donnarumma, të cilit i ka përfunduar kontrata me Milanin dhe është i lirë të vendosë të ardhmen e tij. Sipas mediave italiane, vetë Jose Mourinho ka telefonuar gardianin italian për ta ftuar t’i bashkohet te Roma, ndërsa Raiola ka konfirmuar se për klientin e tij dëshiron një pagë të majme prej 10 milionë eurosh në sezon.

Për Donnarummën Roma do të duhet të fitojë edhe betejën me Juventusin, por nëse nuk arrin të firmosë me portierin italian, atëherë është gati alternativa tjetër, Alphonso Areola, në pronësi të PSG-së, por që sezonin e fundit ka bërë mjaft mirë te Fulham, ku ishte në huazim. Reparti i mbrojtjes është ai më i kompletuari deri tani për Jose Mourinhon dhe verdhekuqtë mund të bëjnë një sforco vetëm për të afruar Jerome Boateng, një futbollist me eksperiencë të konsiderueshme, që gjithashtu mund të vijë falas në kryeqytetin italian, pasi i ka përfunduar kontrata me Bayernin e Mynihut.

Sa i përket mesfushës, Mourinho synon të afrojë te verdhekuqtë mesfushorin shqiptar të Zvicrës, Granit Xhaka, por pretendimet e Arsenalit janë goxha të larta, ndaj së fundi ka dalë në skenë emri i uruguaianit Nahitan Nandez, që prej dy sezonesh është pjesë e Cagliarit në Serinë A. Dy lojtarë në dyshim te verdhekuqtë janë mbrojtësi anësor Alessandro Florenzi dhe sulmuesi boshnjak Edin Dzeko, teksa gjatë javës në zyrat e klubit kryeqytetas pritet të mbërrijë menaxheri i tyre Alessandro Lucci, me të cilin do të diskutohen të gjithë opsionet e mundshme.

Top Channel