“Kemi bërë premtim…”/ Spiropali flet me bindje: PD dhe Basha do të hyjnë në Kuvend, i kanë pranuar mandatet

02/06/2021 20:19

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zgjodhi të mos komentonte për zgjedhjet brenda PD duke thënë se kanë bërë premtim që të mos flasin apo të nxisin debat.

Në emisionin “Top Talk”, Spiropali tha me bindje se Partia Demokratike dhe Lulzim Basha do të hyjnë në Kuvend pasi i kanë pranuar mandatet. Ndërsa për PS, thotë se kanë pasur zona që nuk kanë shkëlqyer në zgjedhjet e 25 prillit dhe këtë thotë se e bëri të qartë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

 “Kemi bërë një premtim që nuk do të komentojmë zgjedhjet brenda PD, aq më pak të nxisim sherrnajën e pavlerë dhe të pabukë që fatkeqësisht Shqipëria prodhon me shumicë. Është e tillë edhe kjo brenda PD. Është gara e pas humbjes, është një garë shumë e shpejtë. Ne kemi kongresin e fitores, ata kanë zgjedhjet e humbjes.

Janë dy gjëra të kundërta. Ne edhe kongresin tonë, pavarësisht fitores, po e përdorim për të bërë analiza të thelluara dhe për të parë brenda organizmit tonë se sa e shëndetshme është marrëdhënia jonë me shoqërinë shqiptare. Po bëjnë të kundërtën. Pra, po mbyllin sytë, kryesisht kryetari i PD dhe po e përdor momentin e zgjedhjes së tij për të mos pranuar asnjë fakt që është në dritë të diellit.

Mjafton të të jap një fakt, PD dhe Basha do të hyjnë në Kuvendin e Shqipërisë, i ka pranuar mandatet që kanë prodhuar këto zgjedhje dhe Kuvendi. I kanë njohur zgjedhjet dhe kërkesa për rinumërim ka provuar se nuk ka pasur manipulim nga PS apo struktura të tjera. Nuk ka zhgënjim në këtë mes dhe nuk na takon të komentojnë për kandidatët për kreun e PD”, tha Spiropali.

Top Channel