Një javë pasi vendosi të refuzojë ofertën e Lazios, për t’iu bashkuar Interin, Simone Inzaghi ka zgjidhur gjithçka me klubin kryeqytetas dhe pritet të mbërrijë nesër në Milano, ku do të hedhë firmën mbi kontratën me zikaltrit dhe më pas do të bëjë edhe një vizitë në qendrën stërvitore të klubit.

Pas telefonatash të shumta me Marottën dhe Ausilion, Inzaghi është gati të prekë nga afër gjithçka në klubin zikaltër dhe të nisë të planifikojë edhe merkaton e verës, ku drejtuesit e Interit kanë shumë punë për të bërë.

Kështu Achraf Hakimi është në krye të listës së futbollistëve që pritet të largohen nga zikaltrit dhe nëse skuadrat e interesuara për të do të arrijnë të paguajnë 80 milionë eurot e kërkuara nga Interi, atëherë do të jetë i vetmi që do të lërë Milanon. Ideja e drejtuesve është që ta nisin sezonin me Darmian titullar dhe Valentino Lazaron rezervë, me austriakun që do të rikthehet në Milano në nisje të përgatitjeve për sezonin e ri, pasi nuk la gjurmë në huazim, megjithatë fjalën e fundit do ta thotë pikërisht trajneri i ri i zikaltërve.

Në krahun e majtë situata është tërësisht ndryshe, pasi do të largohen Young e Kolarov, të cilëve nuk u është ofruar rinovimi i kontratës, por mund të ikë edhe Perisic, nëse do të vijë një ofertë joshëse, ndaj për rolin e titullarit synohet afrimi i Emerson Palmeirit nga Chelsea, me Dimarcon rezervë të parë.

Futbollistët që nuk do të kenë një tjetër shans te Interi janë Joao Mario, Nainggolan dhe Dalbert, të cilët do të duhet të gjejnë një tjetër klub për të vijuar karrierën, ndërsa Inzaghi pret që drejtuesit të blindojnë sa më shpejt emra si Barella, Lautaro e Brozoviç, të cilët i sheh si pjesë e rëndësishme e projektit të zikaltërve.

Top Channel