Fillon operimet tregtare njësia e parë e Impiantit Fotovoltaik Lundrues/ Balluku shkon për inspektim në  hidrocentralin e Banjës

02/06/2021 17:42

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e shoqëruar edhe nga ambasadori i Norvegjisë në vendin tonë, Jens Erik Grøndahl ka inspektuar punimet në hidrocentralin e Banjës, ku ka filluar operimet tregtare njësia e parë e Impiantit Fotovoltaik Lundrues.

Ministrja Balluku e cilësoi këtë projekt si një risi ku brenda së njëjtës hapësirë kemi një integrim të dy burimeve të rinovueshme të energjisë.

“Ky është një projekt, që shkon në linjë me strategjinë e qeverisë për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike të rinovueshme, pasi në Republikën e Shqipërisë ne prodhojmë vetëm energji të rinovueshme. Kjo është diçka për t’u shënuar, është një ditë shumë e rëndësishme për mua si ministre e Energjisë, padyshim për ju si ekipi i suksesshëm i Statkraftit, për ambasadorin që besoj ndihet krenar sot që një kompani shumë e rëndësishme nga vendi i tij arrin dhe dorëzon një projekt me vlera për të gjithë Europën, pasi strategjia e diversifikimit, apo rritja e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme është një trend europian dhe një kërkesë e Bashkimit Europian. Shqipëria ka fatin pasi është një kampione e prodhimit të energjisë të rinovueshme, duke qenë se e gjithë energjia që prodhohet në republikën tonë vjen nga burime të rinovueshme”, tha Balluku.

Ministrja bën me dije se projekti përfshin instalimin e paneleve diellore mbi rezervuarin e hidrocentralit, duke shfrytëzuar kështu edhe rrezet e diellit për të prodhuar energji, ndërsa pritet të nisë edhe faza e dytë ku do të instalohen edhe tre njësi të tjera lundruese.

Top Channel