Olivier Giroud është gjithmonë e më pranë Milanit. Kuqezinjtë kanë nevojë për një tjetër qendërsulmues, pasi mosha e Zlatan Ibrahimovic nuk garanton për të përballuar të gjithë sezonin dhe i përzgjedhuri është pikërisht sulmuesi 34-vjeçar francez.

Pasi hoqën nga lista emra si Scamacca dhe Vlahovic, kuqezinjtë kanë intensifikuar kontaktet me Giroud, të cilit i ka përfunduar kontrata me Chelsean dhe është i lirë të vendosë vetë për të ardhmen e tij.

Maldini ka takuar menaxherin e sulmuesit dhe i ka ofruar një kontratë dy vjeçare me pagë 4 milionë euro në sezon dhe firma mund të vijë shumë shpejt, pasi Giroud dëshiron të zgjidhë gjithçka para se të përkushtohet te Europiani me Francën.

Ndërkohë sot kuqezinjtë kanë mbyllur marrëveshjen me Chelsean për blerjen përfundimtare të kartonit të Fikayo Tomorit. Ky i fundit ishte në huazim me të drejtë blerjeje për 28.5 milionë euro dhe pas refuzimit të londinezëve për të bërë skonto, Milani vendosi të ushtrojë të drejtën e blerjes, teksa tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi, që mund të vijë brenda ditës së nesërme.

Ka të reja sa i përket edhe blerjes së Sandro Tonalit, pasi kuqezinjtë e kanë marrë në huazim për 10 milionë euro, me të drejtë blerjeje për 18 të tjera në fund të sezonit, por duket se presidenti Celino ka pranuar një ulje 3 milionë euroshe të çmimit. Vijojnë negociatat ndërkohë edhe me Udinesen për transferimin e Rodrigo De Paul, që te Milani shihet si zëvendësuesi ideal i Hakan Calhanoglu, pasi turkut i ka përfunduar kontrata dhe deri tani nuk ka dhënë sinjale për rinovimin e saj.

Udinese synon të arkëtojë të paktën 40 milionë euro nga kartoni i kapitenit të saj, ndërsa Milani ka përfshirë në marrëveshje edhe emra si Hauge, Gabbia e Maldini, pasi dëshiron të ulë sa më shumë pjesën e pagesës kesh.

Top Channel