Kriza e pandemisë Covid-19 goditi fort të ardhurat e bashkive vitin e kaluar.
Sipas raportit të Financave Vendore, 61 bashkitë e vendit grumbulluan një vit më parë 24.2 miliardë lekë të ardhura (196.3 milionë euro), rreth 1.4 miliardë lekë më pak se kundrejt vitit 2019.
Ngushtimi i të ardhurave nga burimet e veta preku thuajse gjysmën e njësive të pushtetit vendor, ku tkurrja më e fortë u shënua në njësitë e prekura nga tërmeti i Nëntorit, në Lezhë, Kurbin, Kamëz e Kavajë, me përjashtim të Tiranës e Rrogozhinës.
Kjo ecuri negative e të ardhurave u ndikua nga taksat vendore, pasi në fund të 2020-ës, bashkitë mblodhën 15.2 miliardë lekë prej tyre, në rënie me 14.8% kundrejt 2019-ës, si rrjedhojë e përkeqësimit të financave të individëve e bizneseve e shtyrjen në kohë të disa prej taksave vendore.
Tkurrje ka shënuar edhe taksa mbi pronën ku janë mbledhur vetëm 5.1 miliardë lekë prej saj, 2% më pak se në 2019-ën, ku peshën kryesore e zuri taksa mbi ndërtesën me 3.8 miliardë lekë. Ekspertët e financave dhe pushtetit vendor pranojnë problematikat në vjeljen e taksës së pronës dhe shpjegojnë arsyet.
“Duhet të rishikojmë përsëri problemin e reformës së kësaj takse, që nga mbledhja. Ne kemi patur një ide dhe vetë bashkitë e sabotuan për të patur OSHEE-në si agjent tatimor. Është i vetmi burim që ne kemi rezerva”.
“Besoj se është çështje administrimi nga agjentët që kanë përcaktuar bashkitë të mbledhin këtë taksë. Në përgjithësi janë ndërmarrjet e ujësjellësve, por rezultatet nuk janë të pritshme për disa faktorë. Së pari është një përfshirje jo e mjaftueshme e bashkive në proces. Edhe ngritja e kadastrës ka pasur problemet e veta teknike dhe konsensusi të gjere te bashkitë”.
“Ka rezerva shumë për pushtetin lokal dhe një nga këto rezerva është taksa e pasurisë. Nuk ke pse të presësh kadastrën fiskale kur ti ke burimet e tua njerëzore dhe bën evidentimin në terren dhe e takson dhe ligji ta lejon. Mund të bëhet nga vetë deklarimi ose nga inspektorët e bashkive në terren. Duhet një menaxhim më i mirë i bashkive.”
Sa i takon taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, që përbën edhe zërin kryesor në të ardhurat e bashkive, sipas raportit të Financave Vendore arritën në 7.9 miliardë lekë në fund të 2020-ës, rreth 514 milionë lekë më pas se vitit paraardhës. Pjesa dërrmuese është mbledhur nga Bashkia Tiranë, ndërsa 60 bashkitë e tjera të vendit kanë arkëtuar vetëm 1.5 miliardë lekë nga kjo taksë.
Top Channel