Arabia Saudite mbron vendimin për uljen e zërit të altoparlantëve në xhami

01/06/2021 09:26

Autoritetet në Arabinë Saudite e mbrojtën vendimin e tyre për të ulur zërin e altoparlantëve në xhami.

Ministria e Çështjeve Islame njoftoi javën e kaluar se të gjithë altoparlantët duhet të lëshojnë vetëm një të tretën e zërit të tyre.

Ministri Abdullatif al-Sheikh tha se masa është marrë në përgjigje të ankesave të publikut.

Por, ajo shkaktoi reagim të ashpër në media sociale dhe thirrje të disave që të ndalohet muzika e lartë në restorante dhe kafene.

Duke folur në një video të transmetuar nga televizioni shtetëror, Sheikh tha se ata që duan të falen, nuk kanë nevojë të presin ezanin e imamit.

Ai tha se njerëzit që e kritikojnë vendimin, janë “armiq të mbretërisë” dhe “duan të trazojnë opinionin publik”.

Kufizimet vijnë në kohën kur princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, po vazhdon përpjekjet për ta bërë këtë vend më liberal dhe për të zvogëluar rolin që luan feja në jetën publike.

Grave saudite, për shembull, u është lejuar të vozisin makinën.

Top Channel