Turqia trazon ujërat, arrestohet dhe riatdhesohet nipi i Fetullah Gylen!

31/05/2021 16:18

Agjentët e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë gjurmuan, arrestuan e riatdhesuan nipin e Fethullah Gulen, rivalit të madh të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Ankaraja e akuzon predikuesin mysliman që jeton prej kohësh në mërgim në SHBA si organizatorin e përpjekjes së dështuar për grusht shteti korrikun e 2016-tës, ku humbën jetën me qindra vetë e u plagosën mijëra të tjerë.

Që prej atëherë, autoritetet turke kanë prangosur me mijëra persona të dyshuar për lidhje me Gylenin, i cili nuk ka pranuar asnjëherë që të ketë pasur gisht në atë ngjarje. Duke cituar burime brenda organeve të sigurisë, Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, njoftoi se nipi i tij, Selahaddin Gulen u soll në Turqi nga agjentët e inteligjencës turke.

Nuk dihet ende se në cilin vend ndodhi arrestimi. autoritetet turke thjesht kanë publikuar të dyshuarit me pranga në duar, por nuk dihet nëse operacioni i agjentëve të shërbimeve sekrete u realizua në marrëveshje me shtetin ku u bë ndalimi i tij.

Selahaddin Gulen akuzohet se i përket “organizatës terroriste FETO”, sic e quan Ankaraja lëvizjen e Fethullah Gulenit. Gulen, i cili jeton në Pensillvani të SHBA-së, këmbëngul se udhëheq një rrjet paqësor kompanish dhe organizatash bamirëse.

Top Channel