Policia italiane tha sot se janë duke kërkuar për trupin e një vajze 18-vjeçare, që dyshohet se është vrarë nga familjarët e saj nga Pakistani, pasi ka refuzuar martesën e rekomanduar prej tyre.
Autoritetet thanë se nën hetim si të dyshuar janë dy prindërit e vajzës, xhaxhai i saj dhe dy kushërinj. Vajza kishte denoncuar vitin që shkoi familjarët për planin e martesës dhe jkishte kërkuar ndihmë për t’u larguar prej tyre.
Koloneli i karabinierëve Stefano Bove tha se “të gjithë ata dyshohet të kenë marrë pjesë në krim”, duke shtuar se oficerët po kërkojnë me imtësi në zonat bujqësore për vajzën e humbur Saman Abbas.
Bove tha se karabinierët po inspektojnë “puse, kanale ujitëse e sera”.
Saman Abbas, e cila jetonte në qytezën veriore të Novellara, mësohet se kishte kundërshtuar prej verës së shkuar planin tradicional të familjes së saj për ta martuar me një kushëri të saj nga vendi i lindjes, Pakistani.
Teksa ishte ende minorene, ajo kishte kërkuar ndihmë te shërbimet sociale dhe në nëntor ishte vendosur në një shtëpi kujdesi, por në 11 prill ishte rikthyer te ata.
Prej 5 majit policia po e kërkon atë, kur oficerët vizituan shtëpinë dhe nuk e gjetën. Ata zbuluan se prindërit e vajzës ishin nisur pa të drejt Pakistanit dhe zbuluan disa pamje të kamerave të sigurisë që i bënë të besojnë për më të keqen.
Në 29 prill, pesë njerëz ishin parë që dilnin nga shtëpia duke mbajtur në duar lopata, hekura dhe një kovë, me të cilat i rikthyen pas afro dy orësh.
Ata u identifikuan si pesë të dyshuarit, të cilët tashmë janë larguar drejt Pakistanit.
Ndërkohë qindra njerëz morën pjesë në një miting solidariteti për vajzën të premten, të organizuar nga bashkia e Novellara.
“Saman, sonte ti nuk je vetëm, nuk do të jesh kurrë vetëm,” tha në një mesazh kryebashkiakja Elena Carletti.
Top Channel