Një ish-ushtarak i armatosur i arratisur në pyjet në jugperëndim të Francës, është qëlluar nga policia pas një fushate të gjerë 24-orëshe për kapjen e tij.
Burri është emëruar nga autoritetet si 29-vjeçari Terry Dupin, ishte fshehur në pyll dhe kishte qëlluar ndaj oficerëve të shtunën, kur ata ishin afruar në gjurmët e tij.
Ai ishte plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat speciale të policisë dhe është tashmë i arrestuar, njoftuan zyrtarët.
Ministri i brendshëm Gérald Darmanin tha se i dyshuari ishte “neutralizuar” dhe falenderoi policinë për veprimin e tyre “të vendosur”.
Ndjekja e tij kishte nisur prej të shtunës, kur një debat i ashpër në shtëpinë e ish-të dashurës së Dupin, në Le Lardin-Saint-Lazare, solli rrjedhimisht një shkëmbim zjarri me policinë.
I dyshuari kishte shkelje të mëparshme për dhunë shtëpiake. Policia tha se më pas ai u largua në zonën pyjore aty pranë, i armatosur me një thikë e një pushkë gjuetie.
Më shumë se 300 oficerë, mjete të blinduara dhe helikopterë u dislokuan për kërkimet në zonën prej 4 km katrorë.
Autoritetet thanë se i dyshuari ishte plagosur rëndë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
Prefekti i Dordogne, Frédéric Périssat, tha se i dyshuari kishte qëlluar disa herë ndaj forcave speciale, dhe shtonte se burri nuk dukej i shqetësuar për vetë jetën e tij.
Policia kërkonte për dëshmitarë teksa emëronte të dyshuarin si Terry Dupin, burrë me mjekër dhe trup atletik, i lindur në 1992 në Rosny-Sous-Bois, pranë Paris.
Raportimet thonin se fillimisht ish-ushtaraku kishte goditur ish-të dashurën e tij dhe kishte qëlluar të dashurin e saj të ri me armë, por pa e plagosur.
Top Channel