Autoritetet europiane kane vendosur ta shtyjnë dhënien e lejes për përdorimin e vaksinës ruse Sputnik kundër koronavirusit për shkak se mungojnë ende të dhëna rreth saj.

Lajmin e raporton gazeta gjermane, “Bild am Sonntag”, BAMS duke iu referuar qarqeve qeveritare.

Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha se do të kishte preferuar një vendim më të shpejtë dhe kërkoi hapur nga Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA që të shpejtojë dritën jeshile për këtë vaksinë. “Motori i imunizimit nuk duhet të ngecë”, tha Söder për gazetën gjermane. Nuk duhet të kemi vonesa vetëm thjesht për arsye ideologjike, shtoi ai.

Bavaria parashikon blerjen e 2,5 milionë dozave të “Sputnik V”. Rusia lejoi në gusht të vitit të kaluar vaksinën “Sputnik V”, ende para përfundimit të studimeve shkencore që parashikohen për vaksinat. Ky vendim u prit me kritika nga qarqet shkencore atëherë. Por gati 70 shtete ndërkohë, e kanë lejuar përdorimin e vaksinës.

Aktualisht EMA po verifikon lejen për përdorimin në BE. Në fillim të marsit nisi procedura e mbikqyrjes në kuadër të një «Rolling Reviews», procedurë, ku verifikohen rezultatet e testimeve, megjithëse nuk janë paraqitur të gjitha të dhënat dhe nuk ka ende një kërkesë për leje përdorimi.

Dy shtete të BE edhe pa leje të EMA-s, e përdorin ndërkohë preparatin rus të vaksinës. Hungaria dhe Sllovakia. Deri më tani në BE e kanë marrë lejen e përdorimit BioNTech/Pfizer, Moderna, AstraZeneca, Johnson&Johnson të gjithë prodhues nga vendet perëndimore.

Top Channel