Mungon zyrtarizimi, por nuk ka më dyshime, trajner i Interit do të jetë Simone Inzaghi. 45-vjeçari të mërkurën ishte shumë pranë rinovimit me Lazion, ndërsa një ditë më pas njoftoi “divorcin” me klubin bardhekaltër.

“Me shumë emocion dua t’ju informoj se aventura ime e mrekullueshme me Lazion do të përfundojë më 30 qershor. Falënderoj klubin, presidentin, lojtarët dhe tifozët që më kanë shoqëruar në këto 22 vite të mrekullueshme si lojtar dhe si trajner. Ne ​​luftuam dhe fituam së bashku. Këto ngjyra janë dhe do të mbeten përgjithmonë në zemrën time: e bardha dhe bluja e çelët do të jenë përgjithmonë pjesë e shpirtit tim”.

Inzaghin e pret një përvojë e re dhe e rëndësishme në një klub me trashëgimi të pasur. Në fakt, ai do të jetë drejtuesi i ri i një skuadre që mund të mburret me titullin kampion të Italisë, por edhe njeriu i thirrur për të vazhduar në rrugën e Antonio Contes.

Nga kjo pikëpamje, zgjedhja e Interit ishte më se e kuptueshme. Klubi milanez ka afruar një nga trajnerët më të mirë italianë në qarkullim, atë që, sikurse paraardhësi i tij, Conte, e ka shndërruar skemën 3-5-2 një nga markat e tij tregtare. Interi ka zgjedhur rrugën e vazhdimësisë. Zikaltrit do të vijojnë me një modul të cilin trajneri i ri e njeh në mënyrë të përsosur. Në mbrojtje, Inzaghi do të gjejë De Vrij, futbollist të cilin e ka pasur nën urdhrat e tij edhe te Lazio. Për shkak të karakteristikave të tij, holandezi pritet të jetë pikë referimi në prapavijë.

Në mesfushë, Brozovic mund të bëjë rolin e Lucas Leivas, ndërsa Eriksen ka aftësitë e duhura në letër për t’i ofruar Izaghit “Luis Alberton”, pra cilësi dhe imagjinatë. Mesfushorit danez mund t’i garantohet vazhdimësia taktike, por edhe më shumë liri sesa kishte me Conten. Në sulm nuk ka dyshime, Lautaro dhe Lukaku përbëjnë dyshen ideale.

Pa dyshim që dizejnimi i Interit të ri, sot është një punë më se e vështirë, por është e qartë se çfarë qëndron pas vendimit të drejtuesve milanezë për të rifilluar nga ish-trajneri i Lazios.

Top Channel