Djalë apo vajzë? Çifti i ri zbulon për herë të parë në studio gjininë e fëmijës që presin të vijë në jetë

29/05/2021 23:29

Djalë apo vajzë? Kjo është pyetja dhe shqetësimi kryesor që shoqëron çdo pritje të ëmbël të ardhjes në jetë të një fëmije. Gjithmonë përgjigjen e kësaj pyetjeje e presin me tepër ankth prindërit dhe familjarët e tyre.

Vitet e fundit çiftet e reja po zgjedhin gjithnjë e më shumë që përgjigjen e kësaj pyetje ta kthejnë në një festë të madhe, të paharrueshme, emocionuese dhe plot kujtime. Këto ceremoni quhen “gender reveal” ose në shqip “ zbulimi i gjinisë” në të cilat prindërit dhe familjarët e tyre zbulojnë gjininë e fëmijës që pritet të vijë në jetë.

Mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur” kishte ardhur Eni, vajza e cila ishte në pritje të ëmbël dhe dëshironte që të surprizonte bashkëshortin e saj, Françeskun në një mënyrë tepër të veçantë. Eni dhe Françesku janë martuar kohët e fundit dhe të dy janë në pritje që të bëhen prindër me fëmijën e tyre të parë. Në studio Eni tregoi se gjatë gjithë kohës kishte qenë Françesku që e kishte surprizuar atë në format nga më të ndryshmet.

Prandaj për këtë arsye, Eni kishte zgjedhur që të surprizonte dashurinë e jetës së saj, Françeskun duke e ftuar në programin “Dua të të bëj të lumtur”. “Të kam ftuar këtu për të të thënë që të dua shumë dhe sot është një ditë tepër e veçantë për ne. Sot ne do të zbulojmë se cila do të jetë gjinia e fëmijës që presim.”,- ishte mesazhi i Enit për Françeskun.

Nga ana tjetër e studios Françesku rrëfeu momentet kur ishte njohur me Enin dhe shprehu dëshirën e madhe që kishte që fëmija që po prisnin të ishte djalë.

Tepër të emocionuar, Eni dhe Françesku u vendosën përpara një kutie, nga e cila vetëm pak minuta më pas fluturuan tullumbaca të ngjyrës blu. Kështu të rinjtë, të përlotur kuptuan se foshnja e tyre do të jetë e gjinisë mashkullore dhe tanimë mbetet vetëm çështje kohe derisa ata të kenë në krah djalin e tyre.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel