Faktet e reja dalin në dritë në lidhje me vrasjen e Caroline 20-vjeçare nga disa grabitës brenda shtëpisë në Glyka Nera të Greqisë.
Kamerat e sigurisë së zonës tregojnë lëvizjen e një makine dhe një motoçiklete që e ndiqte rreth orës 5 të mëngjesit, pak minuta pas ngjarjes fatale që mori jetën e të resë.
Materiali është marrë nga kamerat CCTV nga një shtëpi në rrugën Karaiskaki, afër shtëpisë së ciftit. Makina e errët kalon në 05:07 të mëngjesit të së martës 11 maj dhe katër minuta më vonë, në 05:11, ndjek motorin, në të cilin ndodhet një person i cili duket se ka veshur një xhup me kapuç.
Ishte ora 5.30 e mëngjesit kur persona të panjohur hynë në shtëpinë e çiftit dhe vranë 20-vjeçaren në sy të vajzës 11 muajshe dhe bashkëshortit ndërsa vodhën 10 mijë euro dhe bizhuteri që kishin në shtëpi.
Krimi i rëndë ndodhi në njërën prej lagjeve qendrore e më të pasura të Athinës, por sërish askush nuk dëgjon asgjë, ndërsa grabitësit nuk lënë pas asnjë gjurmë.
Hetimet duket së fundi kanë marrë një tjetër kthesë, të paktën këtë pretendojnë disa raporte në shtypin vendas, sipas të cilave një lloj mister rrethon bashkëshortin e viktimës, Charalambos Anagnostopoulos. Lëvizjet e dyshimta të autorëve tani po thuhet se mund të kenë qenë pasojë e ndihmës nga një person i njohur i familjes.
Pozitat e tij i rëndojnë dhe fjalët që kanë qarkulluar së fundi se Caroline kishte siguruar jetën e saj për 1 milionë euro, shkruajnë mediat greke. Por këto skenare e kanë bezdisur së tepërmi 32 vjeçarin, siç tha avokati Stavros Balaskas për ANT1. Policia greke thotë sakaq se kabulli i përdorur për të lidhur pilotin gjatë grabitjes ku humbi jetën e shoqja, është marrë nga magazina e banesës dhe autorët nuk e kanë pasur atë me vete.
Top Channel