SHBA, dështon në Senat përpjekja për komision hetimor mbi sulmin e 6 janarit

28/05/2021 22:40

Republikanët në Senatin amerikan bllokuan të premten propozimin për krijimin e një komisioni hetimor për të zbardhur ngjarjet e 6 janarit kur Kapitoli u sulmua dhunshëm nga një turmë me përkrahës të ish-Presidentit Trump që synonin të pengonin certifikimin e fitores së rivalit demokrat, Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Ashtu siç pritej, republikanët përdorën një taktikë proceduriale të njohur si “filibuster” e cila pengoi miratimin e projekt-ligjit për krijimin e komisionit për të hetuar sulmin. Ishte hera e parë që taktika proceduriale u përdor me sukses gjatë administratës së Pressidentit Biden për të ndalur avancimin e një akti legjislativ në Senat.

Me 54 vota kundër dhe 35 pro, masa nuk arriti të sigurojë 60 votat e nevojshme për miratim.

Senati me 100 anëtarë është i ndarë barazisht mes demokratëve dhe republikanëve. Demokratëve u duhej mbështetja e 10 republikanëve për të siguruar miratimin e masës. Nuk pritej që senatorë republikanë të votonin pro masës, pasi shumë prej tyre mbeten besnikë ndaj ish-Presidentit Trump dhe ishin gjithashtu nën presionin e udhëheqësit të republikanëve në këtë Dhomë, Mitch McConnell, i cili ishte shprehur kundër ngritjes së komisionit.

Zoti McConnell, i cili ka thënë në të kaluarën se zoti Donald Trumpi ishte përgjegjës për “provokimin” e sulmit, kojët e fundit e cilësoi propozimin për ngritjen e komisionit si asgjë më tepër se sa thjesht “një manovër politike” pasi disa komisione ekzistuese të Senatit po zhvillojnë hetime mbi dështimet në masat e sigurisë të Senatit gjatë sulmit.

Më 6 janar, mijëra përkrahës të zotit Trump të mbledhur në Uashington në një protestë kundër rezultateve të zgjedhjeve që nxorën fitues demkratin Joe Biden, sulmuan me dhunë ndërtesën e Kapitolit duke lënë të vdekur pesë vetë, përfshirë një polic të Kapitolit.

Propozimi për komisionin hetimor pritej të hidhej në votë të enjten, por u shty për më vonë pas shqyrtimit të një tjetër propozimi.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, e miratoi masën me mbështetje nga disa anëtarë republikanë./voa

Top Channel