Përplasja Basha- Nishani/ Kreu i PD reagoi pasi ish-presidenti tha se “Basha e dinte ç’do të ndodhte me Berishën”

28/05/2021 19:40

Zgjedhjet ne partinë demokratike kanë sjellë përplasjen mes Lulzim Bashës dhe Bujar Nishanit, ku ky i fundit është pjesë e grupit për PD.

Ish-presidenti deklaroi se Lulzim Basha ishte në dijeni për shpalljen Non Grata të Sali Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndaj edhe sipas tij afroi zgjedhjet ne PD.

NISHANI: “Unë kam kuptuar që zoti Basha ka qenë në dijeni të informacionit, sepse jo pa qëllim afroi në mënyrë të papritur datën e zgjedhjeve brenda partisë. Sepse padyshim kjo çështje ka krijuar një lloj shock-u politik brenda strukturave të PD-së, brenda PD-së. Ne nuk mund ta mohojmë që ka pësuar një shock të madh, sepse zoti Berisha është themeluesi i Partisë Demokratike, është lideri historik i saj, ka influenca të mëdha brenda saj, dhe jam i bindur që zoti Basha ka afruar datën e zgjedhjeve në mënyrë të papritur sepse ka pasur dijeni për këtë çështje”.

Por Lulzim Basha reagoi menjeherë pas deklaratave të Bujar Nishanit, dhe i cilësoi ato shpifje.

BASHA: E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim më të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit. Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj.

Top Channel