Qeveria gjermane dhe landet federale vendosën që deri në fund të verës, të gjithë shtetasit duhet të marrin ofertë për vaksinim, përfshirë këtu dhe të miturit mbi 12 vjeç.
Fëmijët dhe të rinjtë e moshës 12 vjeç e lart mund të vaksinohen kundër Covid-19 duke nisur nga 7 qershori. Kancelarja Angela Merkel e bëri të qartë se mjekët dhe qendrat e vaksinimit duhet të përfshijnë edhe të rinjtë në fushatën e vaksinimit.
Fëmijët dhe adoleshentët mund të lënë dhe ata takim për t’u vaksinuar qoftë në zyrën e mjekut, qoftë në qendrat e vaksinimit. Prioriteti që iu dha vaksinimit të të moshuarve pati efekt pozitiv dhe çoi në uljen domethënëse të numrit të pacientëve të sëmurë rëndë. Fatmirësisht, niveli i infeksioneve të reja po bie, e numri i shtretërve të zënë në njësitë e kujdesit intensive gjithashtu, dhe ky është një sukses i madh.
Qeveria federale beson se 60 përqind e të rinjve dhe fëmijëve janë të gatshëm të vaksinohen. Diskutime për vaksinimet e adoleshentëve ka disa ditë që zhvillohen në Gjermani. Fakti që qeveria federale dëshiron të përfshijë edhe fëmijët dhe të rinjtë në fushatën e vaksinimit ka shkaktuar kritika të mëdha. Merkel e pranoi se vaksinimi i fëmijëve është një akt shumë i ndjeshëm, e kjo ka të bëjë edhe me faktin se nuk është vaksinuar plotësisht pjesa tjetër e popullatës, që besohet se është më e rrezikuar. të shtunën, Nesër, Agjencia Evropiane e Medikamenteve, EMA, pritet të vendosë për miratimin e vaksinës së BionTech/Pfizer për adoleshentët.
Top Channel