Pasi kanë zgjidhur çështjen e portierit me largimin e Donnarummës dhe nënshkrimin me francezin Maignan, te Milani kanë nisur punën në merkato për të përforcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm, që pritet të jetë shumë më impenjativ.

Kështu një tjetër titullar si turku Hakan Calhanoglu është me valixhet gati, pasi nuk ka rinovuar kontratën që i skadon më 30 qershor dhe dyshja Maldini-Massara kanë pikëtuar argjentinasin Rodrygo De Paul si zëvendësuesin ideal të tij.

Kapiteni i Udineses është gati të largohet pas 5 sezonesh me fanellën bardhezi dhe kërkohet nga shumë klube italiane, përfshi edhe Interin e Juventusin, ndërsa friulianët pretendojnë të arkëtojnë të paktën 35-40 milionë euro nga kartoni i tij.

Në Milano nuk mund të paguajnë një shifër të tillë, por Maldini është gati të ulë pretendimet e Udineses, duke përfshirë në marrëveshje talentin norvegjez Hauge, i cili nuk e ka gjetur veten te kuqezinjtë gjatë këtij sezoni.

Nëse nuk arrihet dot te De Paul, zgjidhja “low cost” për kuqezinjtë është armeni Heinrikh Mkhitaryan, i cili pritet të largohet nga Roma, pasi nuk ka marrëdhënie të mira me trajnerin Jose Mourinho dhe kartoni i tij vlerësohet jo më shumë se 5 milionë euro.

Sulmi është një tjetër repart që ka nevojë për përforcime, pasi me largimin e Mandzukic, në organikë është vetëm Ibrahimoviç, i cili me 39 vitet mbi supe, nuk ofron garanci për të përballuar një sezon intensiv.

Emri kryesor në listën e drejtuesve kuqezi është ai i francezit Olivier Giroud, i cili është futbollist i lirë, pasi i ka përfunduar kontrata me Chelsea-n dhe Maldini ka nisur punën prej javësh për ta bindur të transferohet në Milano.

Top Channel