Antonio Conte thyen heshtjen pas lamtumirës me Interin dhe një gjë të tillë e ka bërë përmes një postimi në faqen e tij në Instagram. trajneri italian falënderon të gjithë për kontributin e dhënë me fanellën zikaltër dhe thekson me krenari se ia dolën të thyejnë mediokritetin dhe të rikthejnë Interin aty ku i takon.

“Çfarë rrugëtimi në këto dy vite. Çdo ditë u bëmë më të fortë, si individ dhe lojtarë. Vendosmëri, kurajë dhe sakrificë. Arritëm të thyenim mediokritetin logjik. Ia dolëm të risillnim titullin kampion që mungonte prej 11 vitesh, por mbi të gjitha, risollëm Interin aty ku i takon, për historinë dhe traditën që ky klub ka.

Faleminderit çdo personi që dha kontributin e tij që diçka e tillë të përmbushej. Për shkak të pandemisë ka qenë një vit i vështirë për të gjithë ne, por mbështetja e tifozëve ndaj kësaj skuadre nuk mungoi kurrë. Imazhet e festimit të kupës me tifozët do t’i kujtoj gjithmonë. Faleminderit!”, shkruan ish tekniku zikaltër.

Largimi i Antonio Contes nuk mund të konsiderohet i befasishëm, pasi edhe më herët një gjë e tillë pasqyrohej si një rrezik i mundshëm, derisa palët mbërritën në këtë pikë.

Top Channel