Massimiliano Allegri rigjen Juventusin e tij dy vjet pas lamtumirës nga bardhezinjtë. Ai nënshkroi një kontratë me pagë 9 milionë euro në sezon deri në vitin 2025.

Në pritje të njoftimit zyrtar, tashmë ka filluar punën për të ngritur skuadrën për sezonin e ardhshëm. Një skuadër, ku trajneri nga Livorno do të donte të ishin ende pjesë e saj Giorgio Chiellini dhe Paulo Dybala, ndërsa Cristiano Ronaldo me siguri po bën gati valixhet për ta vijuan karrierën në një tjetër ekip të madh, që mbetet për t’u zbuluar.

Mbrojtësit qendror, i cili mban shiritin e kapitenit, po i skadon kontrata (30 qershor). Në çdo prononcim të kohëve të fundi ai i ka shmangur deklaratat për të ardhmen, duke sugjeruar se rinovimi mund të vijë vetëm pas “Euro 2020”. Mirëpo Allegri nuk dëshiron të heqë dorë nga shtylla kurrizore e skuadrës dhe sipas medieve italiane i ka kërkuar presidentit Agnelli t’ia rinovojë kontratën Chiellinit edhe një vit.

Një tjetër lojtar në planet e Allegrit është Paulo Dybala, me të cilin trajneri punoi nga viti 2015 në 2019-ën. Argjentinasi, në këtë periudhë, nën urdhrat e Allegrit, shënonte mesatarisht diçka më pak se 20 gola në sezon, ecuri që nuk është përsëritur gjatë dy sezoneve të fundit. Dybalas i skadon kontrata më 30 qershor 2022 dhe ky është një problem për Allegrin, i cili do të përpiqet të riaktivizojë kontaktet për rinovimin. Sidoqoftë, nëse kërkesat e Dybalas konsiderohen ende të tepruara nga Juventusi, planet mund të ndryshojnë për të shmangur humbjen e lojtarit pa arkëtuar qoftë një qindarkë një vit më vonë.

Nëse Chiellini dhe Dybala duket se janë të destinuar të qëndrojnë, Cristiano Ronaldo pritet të largohet. Allegri po studion gjithashtu një ekip pa CR7 dhe bardhezinjtë po reflektojnë për një shkëmbim të mundshëm të portugezit me lojtarë të nivelit të lartë teknik, pjesë të Manchester United ose Paris Saint Germainit./SuperSport/

Top Channel