Një studim i kryer gati në gjithë globin nga Inspektoriati Ndërkombëtar i punës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka gjetur se orët e tejzgjatura në punë dëmtojnë shëndetin, veçanërisht trurin dhe zemrën.
Sipas hartës globale të vdekjeve nga puna e tepërt, Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara në Evropë.
Të dhënat e studimit tregojnë se, Shqipëria ka 6.6-7.7 vdekje për 100 mijë banorë, një nga nivelet më të larta evropiane.
Sipas të dhënave të INSTAT-it në Shqipëri punohet mbi 43 orë në javë, kohë më e gjatë se në vendet e tjera evropiane, që punojnë 30-35 orë në javë.
Në Administratë Publike punohet më pak, ose më saktë respektohet më shumë Kodi Punës.
Ndërsa sektori ku punohet më shumë me orë të tejzgjatura, që kthehen më pas në dëm për shëndetin është ai i prodhimit, shërbimeve, ndërtimi etj.
Këtu ndodhemi në punishten e dekoreve të zotit Arben Pepa. Punon gati 13 orë në ditë, e pranon se ka varësi ndaj punës, por ka teorinë e tij për jetën.
“Dita ime nis në orën 7 dhe përfundon në 8 të darkës. Bëj një ditë pushim në javë, që ja kushtoj familjes. E kam nisur punën kur isha 20 vjeç, tani jam gati 50 vjeç. Prej 5 vjetësh kam punishten time. E nisa me tre punëtorë, dhe tani numëroj 7 të tillë. Për sa i përket orëve në punë, më kanë ngjarë nipi dhe djali im.
Të rinjtë e sotëm i kanë sytë jashtë. Më kanë ikur 4 punëtorë deri tani. Kam që në vitet 90 që punoj me dekore dhe me to do ta mbyll. Nuk e mendoj ndonjëherë punën 8 me 4. Do sëmuresha, nëse nuk do të punoja. Mund të them se krahas cigares, unë kam varësi nga puna. Nuk rri dot pa punë. Puna është jeta. Të sëmur celulari dhe të rrish kafeneve gjithë ditën dhe jo puna vetë”, tha Pepa.
Top Channel