Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestrimin e pasurive të ish-gjyqtarit Fatos Lulo.
Nga të dhënat e bëra publike gjatë procesit të Vettingut policia gjyqësore referoi kallëzimin për ish gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo.
Dyshohet se ai ka kryer deklarim të rremë, sipas gjykatës së antikorrupsionit, sa i takon një dyqani prej 172 m2, pasi kjo pasuri fiktivisht është deklaruar si dhuratë nga një e afërme. Ish gjyqtari e ka apeluar vendimin në Shkallën e Dytë dhe kërkon heqjen e sekuestros.
Më 28 prill, SPAK vendosi sekuestrimin e një dyqani me sipërfaqe 172 m2, në rrugën e Durrësit në Tiranë në pronësi të tij.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo është emër i njohur në sistemin e drejtësisë, i cili është eliminuar nga Vettingu në shkallën e parë dhe të dytë për shkak të vendimeve tepër të diskutueshme mbi persona të lidhur me krimin.
Një ndër to është edhe ajo e ekstradimit të Almir Rrapos drejt SHBA-së. Lulo vendosi të rrëzojë dy gjykatat më të ulëta, duke mos e ekstraduar Rrapon, i cili do të gjykohej në Shtetet e Bashkuara për vrasje. Një tjetër çështje e rëndësishme në duart e Fatos Lulos, ishte ajo e uljes së dënimit për Edmond Begon, alias Manoli Bega. Nga 21 vite burg që ishte dënuar në Itali, Lulo ia uli dënimin Begos me 4 vite e 4 muaj në Shqipëri, dënim, të cilin nuk e kreu asnjëherë.
Top Channel