26 maji i viti 1996 mbahet mend si një nga ditët më të errëta të demokracisë në vendin tonë.

Pasi u vodhën votat, nga Partia Demokratike, që ishte në pushtet, forcat e policisë iu kundërpërgjigjën përfaqësuesve të opozitës, që dolën për të protestuar në shesh.

Blendi Gonxhe, kujton se nuk u kursyen as qytetarë, që nuk kishin lidhje me Partinë Socialiste.
Nuk u kursyen gazetarë, nuk u kursyen punonjës fondacionesh, shoqërish civile. Për mua ishte fat që përfundova në komisariatin numër 1 në Tiranë, dhe dola vetëm me brinjë të thyera. Kishte të tjerë, që përfunduan në Lezhë, në Laç, Krrabë, kishte të tjerë që e gjetën veten te liqeni artificial. Bardhok Lala është masakruar dhe varrosur në liqen. Janë bërë gjëra, që sot nuk mund të imagjinohen, nga ata që nuk e kanë jetuar atë periudhë”.

Gent Shkullaku punonte si fotoreporter atë ditë. Ai tregon se ka qenë dëshmitar i dhunës barbare nga efektivët dhe punonjësit e SHIK-ut. Sipas tij, trazirat e asaj dite, erdhën si rezultat i disa muajve në mungesë lirie.
Erdhi si rezultat i disa muajve terror. Unë kisha vetëm pak muaj që kisha filluar si fotograf. Të punoje për ‘Koha jonë’ atëherë ishte shumë, shumë e vështirë. Bardhoku dhe disa gazetarë të tjerë përfunduan shumë keq. Pak ditë më parë, forcat e policisë, më kishin marrë aparatin e dytë, por për fat na e rikthyen prapë.
Ishte diçka që pritej, kishte shumë kohë që drejtuesit e opozitës, nuk lejoheshin të protestonin. Frika sigurisht që ishte, nuk të le profesioni që të ndalesh, por ishte shumë e vështirë. Ndoshta për jetën jo, por që do haje dru, ishte evidente.

Petro Koçi, kryetar i PS-së në Fier, erdhi në një konferencë shtypi dhe më kujtohet që e kishin qethur qeros, e kishin dhunuar në komisariat.
Një nga personat, që u bë më pas truprojë e Nanos, ka foto që tregojnë se është dhunuar”, tregon Shkullaku në “Top Talk”

Gonxhe shton, se maji i 25 viteve më parë duhet mbajtur mend, në mënyrë që të mos përsëritet asnjë ngjarje e ngjashme.
Ne e kujtojmë këtë datë si një simbol, si një lapidar të shëmtuar të së shkuarës sonë, që të mos bëjmë sikur nuk kuptojmë që mendësia e re ka vlerë, të luftosh tjetrin për mendimin e kundërt, me gjithë shtetin është e gabuar, që të abuzosh deri në këtë nivel me të drejtat e njeriut është e tmerrshme, dhe këtu ka pasur dhe viktima”.

Top Channel