“Këto masa janë të panevojshme”/ Sulçebe dhe Brataj ‘përplasen’ në Open: Studimi që bëtë i cunguar, edhe sot vijnë pacientë në gjendje të rëndë

26/05/2021 21:31

Mjeku imunolog, Genc Sulçebe thotë se epidemia e koronavirusit në vendin tonë, po shkon drejt fundit.

Jemi drejt imunitetit kolektiv. Duket se popullata më e prekshme, popullata mbi 55 vjeç janë vaksinuar. Po ashtu nga mosha nën 55 vjeç, një pjesë e konsiderueshme janë të mbrojtur natyralisht, pasi kanë kaluar Covid 19, ndërsa te një pjesë tjetër fatmirësisht po vazhdon vaksinimi”, shprehet Sulçebe, në emisionin “Open”.

Mjeku bazohet te studimi i Akademisë së Shkencave, që është bërë në kryeqytet dhe argumenton sa përqind e popullsisë mund të jenë imunizuar, bazuar te të dhënat e studimit.
Në daljen nga ‘lockdown-i’ i pari, në fund të majit, kishim arritur 7,4%, të imunizimit, pasi kaluan Covid. 6 muaj më vonë, kjo shifër në të njëjtin popullatë ishte 49%.
Në këto shifra, nëse fillojmë nga një pikënisje 49% në fund të dhjetorit, po të llogarisësh një rritje prej 5% çdo muaj, atëherë mund të hamendësojmë se rreth 70% e popullsisë ka arritur imunizimin.
Duke u nisur dhe nga disa indicie shifrore dhe teoria e komunitetit kolektiv, themi se po arrijmë drejt imunitetit të masës”.

Masat kufizuese, Sulçebe i konsideron “të panevojshme”.

Por, kreu i Urgjencës, Skënder Brataj, kundërshton rezultatet e studimit të Akademisë së Shkencave. Sipas tij, është një studim i cunguar dhe nuk paraqet realitetin.
Nuk janë shifra aq domethënëse, se po të ishte 48% në atë moment (dhjetorin e kaluar), nuk do të kishim valën e shkurtit, marsit. Ishte një studim pjesor, në një popullsi të vogël. Nuk mund të na japin realitetin e asaj që ndodhi.
Edhe sot që flasim, vazhdojnë të vijnë pacientë në gjendje të rëndë, që shtrohen në spital”, tregon Brataj.

Top Channel