Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro u shfaq mjaft i qetë në përfundim të ndeshjes me Vllazninë, teksa kurbinasit e mbyllën kampionatin në vendin e katërt, duke siguruar një biletë për në Kupat e Europës.

Në intervistën e dhënë për SuperSport, Duro tha se vetëm Laçi e Vllaznia kanë marrë gjithçka me meritë këtë sezon, teksa zbuloi edhe arsyen pse la në pankinë portierin titullar Alen Sherri.

Jeni i zhgënjyer për këtë humbje?
Kjo është humbja e parë që pëson skuadra e Laçit në këtë fazë të katërt, janë dy gola të pësuar pas dy ndeshjesh nga një skuadër që bëri mirë gjatë gjithë fazës, por un e kam thënë që kampionati për ne mbaroj pas ndeshjes me Teutën. Aty kishim shansin për të fituar për t’u shpallur kampion, ndërsa Vllaznia ishte më e motivuar dhe kishte pak shanse në raport me Teutën. Ne objektivin tonë e kemi arritur, kemi arritur kupat e Europës dhe kemi qenë deri në javën e fundit pretendente për kampion së bashku me Vllazninë, Teutën dhe Partizanin.

Çfarë i mungoi Laçit për t’u shpallur kampion këtë sezon?
E them me bindje që vetëm Laçi ka marrë çdo gjë me meritë dhe Vllaznia. Ka ndeshje në fazën e tretë dhe të katërt ku ka pasur probleme nga skuadrat kryesuese, disa kanë toleruar sepse merret vesh se jemi në Shqipëri, por ne të gjitha i kemi arritur me sakrificë. Të 4 skuadrat e meritonin, pasi çdo gjë ndahej me një gol. Të katërta kanë qenë në kryesim gjatë gjithë kampionatit.

Pse nuk luajti Sherri?
Sherrin të them sinqerisht nuk e kam aktivizuar, sepse është shkodran dhe doja ta largoja nga presioni edhe pse është djalë shumë i mirë, kjo ka qenë arsyeja. Mund t’i ndodhte ndonjë gabim pa dashje dhe do t’i peshonte shumë.

Ju kënaqi rikthimi i tifozëve në stadium?
Ishte ndeshje me tifozë, gjë e bukur por kam një vërejtje për organet kompetente sepse gjykimi duhet të jetë i drejtë. Mund ta imagjinonte njeri që Laçi në ndeshjen me Teutën të kishte 2 mijë veta në stadium? Ne kishim 50 tifozë në stadium të paktën të jenë të drejtë me të gjithë, e kuptoj që ishte ndeshje vendimtare, por duhet të jenë të drejtë me të gjithë.

Top Channel