Vllaznia bëri një sezon perfekt, por nuk ia doli të ngrejë lart titullin kampion, ndonëse grumbulloi po aq pikë sa Teuta kampione. Golavarazhi la shkodranët në vendin e dytë, megjithatë trajneri Thomas Brdaric tha se sezoni për kuqeblutë nuk ka përfunduar ende dhe se duhet të mendojnë për finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut.
Sa keq ju vjen që e humbin titullin vetëm për shkak të golavarazhit?
Më vjen keq, por nuk jam i zhgënjyer, pasi sot bëmë më të mirën dhe morëm rezultat pozitiv. Bëmë gjithçka mirë, sot dhe gjatë gjithë 36 javëve, por nuk e kishim në dorën tonë, ndaj nuk duhet të shohim pas, por të mendojmë për finalen e Kupës, që vjen shumë shpejt.
A keni ndonjë pishman për këtë sezon?
Sot nuk është momenti për të parë pengjet apo gabimet që kemi bërë në të kaluarën. Kemi grumbulluar 66 pikë, aq sa ekipi kampion dhe madje kemi më shumë fitore se ata. Është një aspekt shumë pozitiv dhe besoj se duhet të shohim vetëm përpara.
Pas finales së Kupës do të qëndrosh te Vllaznia, apo do të flasësh me drejtuesit?
Ne nuk e kemi përfunduar sezonin dhe kemi përpara finalen e Kupës së Shqipërisë, ndaj që nesër duhet të punojmë shumë për të përgatitur ndeshjen me Skënderbeun. Kemi shkuar aty me meritë dhe duhet të bëjmë një tjetër sforco për t’ia dalë me sukses. Më pas do të ulemi dhe flasim për të ardhmen.
Top Channel