Blendi Gonxhe në Top Talk: U ndjemë të tradhtuar, një ish-komunist si Berisha rrëmbeu PD-në dhe kauzën e demokracisë

26/05/2021 17:44

26 maji i 25 viteve më parë ishte ditë zgjedhjesh në Shqipëri, por përfundoi në një betejë të vërtetë mes qeverisë dhe opozitës.

Zgjedhjet u vodhën hapur nga Partia Demokratike, që ishte në qeveri dhe më pas, opozita socialiste tërhoqi komisionerët nga qendrat e votimit. Në fund dolën rezultate surreale, ku në kutinë e votimit kishte më shumë vota se votues dhe ato ishin të gjitha për Partinë Demokratike.

Opozita socialiste doli të protestojë në shesh. Por, policia, forcat speciale dhe punonjës të shërbimit informativ, gjithsej 6 mijë forca krijuan barrikada për të penguar marshimin e socialistëve. Dhjetra gazetarë dhe përfaqësues së shoqërisë civile u dhunuan barbarisht.

Sot, një nga opozitarët e asaj ditë, që doli të protestojë përballë barrikadës së forcave policore, Blendi Gonxhe kujton “momentin kulminant të krimit të shtetit”, sipas tij.
Ky ishte momenti final, krimi i një shteti, totalisht në shërbim të partisë. Në vitet ’90-’96, ishte një përballje pikërisht për mendësinë që u la të instalohej në Partinë Demokratike.
Arritën në një pikë, ku humbi çdo sens mase, çdo limit përmbajtjeje. Ishte një frymë e rëndë, e tmerrshme, e nxitur nga PD dhe Sali Berisha. Nuk kursyen askënd, kishte një lloj histerie ndaj çdo lloj mendimi kundër, nga çdo lloj mendimi i moderuar dhe çdo qasje tjetër“, tregon Gonxhe, në “Top Talk”.

Sipas tij, nuk ishin fajtorë ata që dhunuan, por sistemi, ku bënin pjesë: “Ata që ishin pjesa më famëkeqe e historisë, SHIK-u, policët, nuk përfaqësonin veten, ishin pjesë e sistemit.
Nuk erdhën në datën 26 rastësisht, më parë u shkatërrua administrata, nuk u lejua asnjë mendim i kundërt, si në luftën e klasave”.

Sipas Gonxhes, problemi nis që nga themelimi i Partisë Demokratike. “Fillesa është që në themelimin e Partisë Demokratike. Ne e nisëm pa një mendim të formësuar, e nisëm me dhjetorin, ku ata që vërtetë kishin guxuar kundër sistemit, ishin ose brenda, ose ishin vrarë, ose ishin degraduar që të mos ishin të aftë të bënin gjë. Mënyra si rrodhën ngjarjet dhe mungesa e një klase intelektuale. Është një fatkeqësi, ishim të pafat si vend, që pas atij regjimi aq të egër, u gjendëm pa asnjë lloj mundësie, me kë të artikulonim një lëvizje të vërtetë. Që në fillim, kemi këmbëngulur, që ish-komunistë, të mund të ndërtonin moralin e një partie, si Partia Demokratike”, shprehet ai.

Gonxhe shton se PD-ja “ra në duart e gabuara”.

Ngeli në duar të gabuara PD-ja, sepse ndoshta e gjithë skena politike e asaj kohe, nuk ishte e përgatitur për ngjarjen. Ky njeri, (Sali Berisha) me një posesivitet të jashtëzakonshëm, kontrollonte çdo strukturë, çdo emër të ri, dosjet e tyre, veprimet e tyre, të shkuarën e tyre.

Më pas këtë mentalitet, ia përcolli administratës, institucioneve dhe arritëm në nivelin e piramidave, që ishin kulmi i paaftësisë së shtetit për të mbrojtur qytetarët e vet”.

Top Channel