Sfida e djeshme me Atalantën mund të ketë qenë e fundit me fanellën e Milanit për fantazistin turk Hakan Calhanoglu dhe portierin italian Giggio Donnarumma, kontrata e të cilëve skadon pikërisht në fund të muajit qershor.

Mesfushori turk nuk ka rinovuar ende kontratën me kuqezinjtë dhe deri tani nuk ka marrë në konsideratë ofertën prej 4.5 milionë eurosh në sezon, duke kërkuar të paktën 5 neto dhe një tjetër në formë bonusi.

Në përfundim të ndeshjes në Bergamo, Calhanoglu ka dalë hapur dhe ka pranuar se nuk ka marrë ende një vendim për të vijuar me kuqezinjtë, teksa ka shtyrë gjithçka deri në përfundim të Kampionatit Europian. “Nuk kam vendosur ende për të rinovuar, por për momentin kam filluar të mendoj për Kampionatin Europian dhe nuk do të merrem me këtë çështje. Në kohën e duhur, do të vijë edhe vendimi i duhur”, deklaroi turku për mediat italiane.

Për Calhanoglu janë vënë në lëvizje shumë klube italiane e europiane, teksa së fundi ka ardhur edhe një ofertë mjaft joshëse ekonomikisht nga Katari, aty ku turku do të mirëpriste një transferim për 2-3 sezone. E njëjtë është situata edhe për portierin Donnarumma, i cili shpërtheu në lot pas përfundimit të ndeshjes me Atalantën, si për të konfirmuar dashurinë e tij për fanellën kuqezi, por negociatat për rinovim kanë ngecur.

Mino Raiola nuk heq dorë nga pretendimi për një pagë prej 10 milionë eurosh neto në sezon, kundrejt 7.5-ve që është gati të paguajë Milani, ndaj kuqezinjtë kanë nisur të mendojnë për planin B, që është kampioni i sapo-shpallur me Lille, Maignan. Me këtë të fundit kanë avancuar shumë negociatat dhe mund të veshë fanellën e Milanit për një shifër prej 15 milionë eurosh, gjithsesi primare mbetet gjetja e gjuhës së përbashkët me Donnarummën.

Top Channel