Marten de Roon shkaktoi penalltinë e dytë për Milanin në minutat shtesë të ndeshjes dhe më pas humbi toruan, duke i dhënë një të shtyrë arbitrit kryesor të takimit, gjest ky që i ka kushtuar vërtetë shtrenjtë.

Kjo pasi organet disiplinore në Itali kanë vendosur ta pezullojnë mesfushorin zikaltër me plot 4 javë, të cilat do të duhet t’i shlyejë në startin e sezonit të ardhshëm. Vendimi erdhi pasditen e sotme dhe ndikoi më së tepërmi shtyrja ndaj kryesorit.

Mesfushori holandez u ndëshkua me karton të kuq për faullin në rastin e penalltisë, por më pas u përfshi në një debat me Mandzukic dhe në fund humbi toruan, duke shtyrë arbitrin para se të largohej nga fusha e lojës. Menjëherë pas ndeshjes futbollisti reagoi nëpërmjet një postimi, ku kërkoi ndjesë për gjestin dhe për faktin se do të duhet të nisë kampionatin një muaj më vonë se shokët e skuadrës.

“Nuk jam krenar për gjestin tim në ndeshjen e fundit, pasi ishte një situatë që mund ta menaxhoja shumë më mirë, ndaj u kërkoj ndjesë të gjithëve. Nga ana tjetër jam shumë krenar për atë që bëmë këtë sezon me skuadrën, duke konfirmuar sërish forcën tonë”, shkroi De Roon.

Top Channel