Barcelona e konsideroi të padobishëm dhe e ndau nga miku i tij i madh, Lionel Messi. Transferimi tij drejt Juventusit dështoi, madje duke lënë pasoja ligjore për shkak të provimit të parregullt të gjuhës italiane për të huajt në Universitetin e Perugias.

Simeone e priti krahëhapur tek Atletico e Madridit, besim të cilin “El Pistolero” e shpërbleu si golashënuesi më i mirë i skuadrës me 21 finalizime në 32 ndeshje të kampionatit. Golin e fundit, atë që u dha fitoren e titullit “Los Colconeros” e shënoi ndaj Valladolidit.

Luis Suarez do ta mbajë mend këtë sezon për një kohë të gjatë. E thotë atë me zë të lartë, pasi festoi titullin:

“Ky ishte viti më i vështirë për mua”.

“El Pistolero” u fokusua nga kamerat teksa kishte smartphone-n e tij në dorë, me sa duket duke komunikuar me familjen. Ai kishte shpërthyer në lot, me shijen e hakmarrjes dhe lumturisë:

“Barcelona më hodhi poshtë dhe më poshtëroi, por unë nuk e ula kokën. I jam mirënjohës Atleticos që ma dha këtë shans. Shumë na kanë nënvlerësuar, ne ishim ekipi më i qëndrueshëm dhe për këtë arsye më i miri. Ne dimë të vuajmë dhe në fund fitojmë”.

Trajneri Simeone gjithashtu është i ngazëllyer për këtë sukses historik në LaLiga:

“Nuk ishte viti më i mirë për të fituar kampionatin. Të shpallesh kampion një vit si ky, me shumë miq të larguar përfundimisht dhe pa praninë e tifozëve të shumtë të Atleticos… do të kishte shije tjetër. Për fat të mire, ne mund të sjellim pak gëzim në një moment kaq të vështirë dhe të trishtuar për botën”.

Top Channel