Në një deklaratë të rrallë për nga ashpërsia e saj, dukshëm i ngarkuar emocionalisht princi William e fshikulloi ashpër BBC-në duke thënë se “kontribuoi ndjeshëm në frikën, paranojën dhe izolimin” që përjetoi nëna e tij, princesha Diana në vitet e fundit përpara vdekjes së saj.
Komentet e dukës së Cambridge-it, erdhën pas ndjesës publike, të plotë e të pakushtëzuar që ofroi gjigandi mediatik lidhur me intervistën kontroverse të gazetarit të tij, Martin Bashir me Dianën në 1995, në të cilën ajo rrëfeu për herë të parë problemet që kishin pllakosur martesën e vet me princin Charles.
Një hetim doli në përfundimin se reporteri kishte përdorur mashtrimin për ta siguruar intervistën e bujshme, duke e bindur Dianën se stafi e spiunonte, dhe i shoqi kishte një lidhje me dadon e fëmijëve të tyre. Këto pretendime e nxitën princeshën të fliste publikisht, ç’ka shpejtoi dhe fundin e martesës së saj.
Duka po kështu e akuzoi BBC-në se kishte komercializuar “një rrëfim të pavërtetë” mbi të ëmën. Vëllai i tij, princi Harry deklaroi po ashtu se efekti shkatërrues që patën ato praktike joetike dhe shfrytëzuese i kushtuan në fund të ëmës jetën.
Bashir, së fundi është tërhequr nga BBC duke cituar arsyet shëndetësore.
Top Channel