‘Luftë deri në vdekje virologëve’/ Belgjika në ditën e dytë të ndjekjes së ‘Rambos’ së armatosur radikal, anti-kufizime (fotot)

20/05/2021 16:23

Ushtria e Belgjikës raportohet se ishte sot në ditën e dytë të ndjekjes së një ushtaraku të rrezikshëm që ka kërcënuar me jetë qeveritarë dhe mjekë të vendit për masat kufizuese të pandemisë, duke thënë se do të luftojë “për jetë a vdekje, kundër virologëve, që kanë marrë gjithçka prej nesh”.

Forca speciale gjermane e holandeze u ishin bashkuar sot atyre belge, në kërkim të rebelit anti-stabiliment që besohet se është fshehur në zonat pyjore mes vendeve.

Togeri 46 vjeçar Jurgen Conings, ka dezertuar nga kazermat e tij prej të hënës, i armatosur mes të tjerash me katër raketa-lëshues, automatikë e pistoleta, pas kërcënimeve që ka bërë ndaj krye-virologut belg Marc Van Ranst, i cili ka drejtuar reagimin e qeverisë belge ndaj pandemisë së koronavirusit.

Rreth 400 ushtarë e policë belgë të armatosur rëndë ishin dislokuar në pyllin Hoge Kempen në verilindje të vendit pranë kufirit me Holandën.

Forca sigurie gjermane e holandeze iu bashkuan a tyre teksa helikopterë e mjete të blinduara iu bashkuan gjuetisë në parkun kombëtare prej 12,000-hektarësh për “radikalin e djathtë të rrezikshëm”, siç njihet tashmë Conings nga mediat kryesore.

Ushtaraku veteran ka lënë disa letra para largimit, duke i shkruar familjes së tij se nuk “jetonte dot në një shoqëri të komanduar nga virologët e politikanët, që po na marrin gjithçka”.

E dashura e tij Gwendy, 46 vjeçe, ka thënë se dëshiron të dashurin e saj “të butë e të ëmbël” të kthehet përsëri, duke e përshkruar Conings si një “baba të adhurueshëm për dy fëmijët e tij, dhe për bijën e saj.”

Conings – operator snajperi i stërvitur në misione si ish-Jugosllavi, Liban, Irak e Afganistan – njihet tani si ‘Rambo’ dhe në mesazhin e fundit ka thënë se do të bashkohet me rezistencën dhe nuk do të dorëzohet.

Gwendy tha se nuk dinte shumë për qëndrimet anti-kufizime apo ekstremiste të Conings, por shtonte se ai vetëm shante ndonjëherë nga televizori kur dëgjonte për kufizimet e pandemisë.

“Por këtë nuk e bënte vetëm ai, të gjithë i urrejnë kufizimet. Nuk kam dëgjuar kurrë të ketë kërcënuar njeri, shtoi ajo.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/05/19/belgjika-ne-ndjekje-te-ushtarakut-radikal-te-armatosur-pas-kercenimeve-per-dhune-kunder-stabilimentit-fotot/

Top Channel