Belgjika në ndjekje të ushtarakut radikal të armatosur, pas kërcënimeve për dhunë ‘kundër stabilimentit’ (fotot)

19/05/2021 18:32
Conings (djathtas) ka kercenuar kryemjekun belg Van Ranst

Njësitë speciale të policisë së Belgjikës janë në kërkim të ushtaraku të armatosur rëndë, i cili është zhdukur pas disa kërcënimeve për dhunë ndaj zyrtarëve kryesorë.

I dyshuari është emëruar si Jurgen Conings, instruktor armatimesh në ushtri, i cili ka marrë me vete armë nga kazermat.

Autoritetet e përshkruajnë atë si “ekstremist të dhunshëm me pikëpamje të djathta”, pasi ka lënë katër letra për autoritetet ku thotë se është i gatshëm të përballet deri në vdekje me policinë sepse “nuk mund të jetoj më në një shoqëri të komanduar nga politikanët dhe virologët”, duke iu referuar masave te pandemisë.

Kërcënimet kryesore të të dyshuarit janë drejtuar ndaj krye-virologut të vendit Marc Van Ranst, i cili ka udhëhequr përballjen me pandeminë e koronavirusit.

Van Ranst dhe familja e tij janë dërguar në një vend të sigurt.

Policia i ka bërë apel publikut që të mos i afrohet të dyshuarit por të njoftojnë autoritetet nëse e pikasin.

Pas kërkimeve në pyllin e Dilsen-Stokkem në provincën veriore të Limburg autoritetet morën njoftime për makinën e ushtarakut, që mbante brenda armë të rënda.

Ata thanë se kishin gjetur katër raketalëshues dhe dyshohet se i kërkuari ka të tjera armatime të rënda me vete.

Specialistët belgë të anti-terrorit thanë se po i marrin seriozisht kërcënimet dhe disa kazerma ushtarake janë izoluar.

I dyshuari ka kërcënuar edhe në të shkuarën kryemjekun belg Van Ranst, për masat kufizuese të pandemisë.

Ministri i drejtësisë Vincent Van Quickenborne tha se Jurgen Conings “është një kërcënim serioz”, ndërsa autoritetet thonë se rreth 30 ushtarakë vendas po monitorohen për pikëpamje të ngjashme radikale të djathta ose rebelimi ekstrem.

Ndërkohë virologu Van Ranst ka thënë se kërcënimet “nuk i bëjnë fare përshtypje”, por shtoi se vaksinat dhe kufizimet e pandemisë përshtaten shpesh me ‘lavdërime të dhunës dhe urrejtjes racore’.

 

FOTO GALERI
1/4
Jurgen Conings, instruktor armatimesh në ushtri, ka marrë me vete armë nga kazermat.

Top Channel