Vllaznia tashmë e ka fituar kampionatin e saj dhe ndaj Partizanit, në sfidën e parafundit të kampionatit, nuk ka asgjë për të humbur. Kështu shprehet trajneri i kuqebluve, Tomas Bradaric, në konferencën për shtyp para takimit.

“Është një ndeshje e rëndësishme, si të gjithë ndeshjet e tjera. Objektivi ynë janë tri pikët. Jemi të bindur dhe kemi besim plotë në këtë situatë. Nuk kemi asgjë për të humbur, duam të fitojmë këtë ndeshje. E kemi fituar kampionatin tonë, pasi kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë. Nesër do të shkojmë për fitore ndaj Partizanit. Kemi investuar shumë, jemi të kënaqur me pozicionin që kemi. Duhet ta kemi të qartë që nesër na pret një betejë e madhe dhe e vështirë, por duhet ta vazhdojmë këtë rrugëtim të mirë. Ekipi im ka mësuar shumë nga ky sezon.”

Duel mes rivalësh: “Do të jetë një duel i balancuar, kush do ta meritojë dhe do të ketë më tepër fat, do të marrë tri pikët. Ekipi im është i përgatitur mirë, e dimë se si duhet të luajmë nesër. Jemi në formën më të mirë dhe mendoj se do të shkojmë për më të mirën. Duhet të guxojmë dhe të punojmë shumë, në mënyrë që t’i surprizojmë të gjithë duke fituar ndeshjen. E kemi analizuar Partizanin në ndeshjet e fundit. Ata e meritojnë kryesimin, kanë lojtarë të mirë dhe me eksperiencë, edhe trajnerin.”

Imami në vend të Isaevskit: “Imami luajti shumë mirë në ndeshjen e fundit. Ai ka vuajtur, pasi ka qëndruar në pankinë ndeshjet e fundit. Nuk ka qenë e thjeshtë as për mua të ul në stol një lojtar me eksperiencë. Ka raste kur nuk i shpjegon dot vendimet në futboll, nuk mund të luajnë 22 futbollistë në fushë. Ka qëndruar pozitiv, ka punuar mirë. Sigurisht që është trishtuar disi, por ka reaguar në mënyrën më të mirë. Kam besim tek ai, do luajë mirë në vendin e Isaevskit.”

Titulli kampion: “Pas ndeshjes mund ta vlerësojmë më mirë situatën. Ta lëmë surprizë. Kemi kaluar shumë sfida këtë sezon, le ta shijojmë ndeshjen nesër. E kemi merituar këtë pozicion ku jemi dhe le të luftojmë deri në momentin e fundit.”

Top Channel