Klubi i Barcelonës po planifikon të bëjë revolucion para nisjes së sezonit të ri futbollistik. Sikurse njofton e përditshmja “Sport”, për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia “bluagranat” kanë një plan konkret për të ulur shpenzimet për pagat, duke larguar emra të rëndësishëm. Është përpiluar tashmë një listë me plot 14 futbollistë të cilëve do t’u propozohet ose ulja e pagave ose nxjerrja në shitje, kuptohet nëse ofertat do të jenë të pranueshme.

Sipas informacioneve që rrjedhin nga Spanja, lista e lojtarëve që do të largoheshin nga Barcelona do të ishte e gjatë, qofshin këta veteranë apo blerje të viteve të fundit. Që të mund të qëndrojnë te Barça, Piqué, Alba, Busquets dhe Sergi Roberto duhet medoemos të pranojnë uljen e pagave.

Çështja qëndron krejt ndryshe për emra të tillë si: Riqui Puig, Neto, Umtiti, Junior Firpo, Pjanic, Coutinho, Griezmann, Matheus, Braithwaite dhe Dembelé. Të gjithë këta lojtarë, për arsye dhe situata të ndryshme si dhe për shumën duhur, mund të “sakrifikohen” për të planifikuar rindërtimin e ekipit. Janë futbollistë që në Europë mund të tërheqin vëmendjen e klubeve të rëndësishme.

Top Channel