Në Durrës, vaksinimi po vijon pranë qendrave shëndetësore dhe në qendrën e ngritur të vaksinimit pranë shkollës artistike “Jan Kukuzeli”.

Në disa nga qendrat shëndetësore të qytetit, raportohet mungesë e vaksinave kineze dhe të gjithë ata që duhej të merrnin dozën e dytë janë njoftuar për t’u paraqitur javën e ardhshme, ndërsa vijojnë normalisht vaksinimet e të sëmurëve kronikë me Pfizer, si dhe grupeve të tjera me AstraZeneca.

Ndërkohë, në qendrën më të madhe të vaksinimit, drejtuesja vendore e kujdesit shëndetësor, Aurora Hyka bën me dije se nuk ka mungesë vaksinash dhe vijon vaksinimi me 4 llojet e vaksinave, përfshirë dhe marrja e dozës së dytë të vaksinës kineze.

Deri tani, në Durrës janë vaksinuar rreth 53 mijë persona, ndërsa numri i rasteve aktive ka rënë në 30 dhe një pjesë e këtyre rasteve janë të shtruar dhe po trajtohen në spitalin e Durrësit.

Pavarësisht kësaj, mjekët kërkojnë nga qytetarët të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me nr. 127 të Urgjencës Kombëtare, ose mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë.

Top Channel