Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zhvilluar një takim me mësuesit dhe mësueset që dhanë kontributin e tyre në “RTSH shkollë”, kanal ky që ju dedikua nxënësve dhe mundësoi përballimin e një procesi mësimor gjatë periudhës së pandemisë.
Rama u shpreh se në një kohë të vështirë për pandeminë, Ministria e Arsimit u kthye në një studio xhirimi për mësimet online që jepeshin përmes kanalit të RTSH.
Kryeministri tha në fjalën e tij se është tepër krenar për mësuesit dhe mësueset dhe mori shembullin e një mësuese e cila kishte 7 vite pa punë dhe doli e para në konkursin e portalit “Mësues për Shqipërinë”.
“Një nga mësueset që folëm këtu kishte 7 vjet pa punë, vinte nga një zonë tjetër. Doli e para në konkursin e parë të portalit “Mësues për Shqipërinë”. Ajo zonjë që këtu do i jepte mend gjithë dynjasë do të ishte pa punë sot nëse nuk do të ishte ky portal. Sot nuk i lëviz njeri nga vendi i punës. Nga ana tjetër është e rëndësishme që figurën e mësuesit të vazhdojmë ta forcojmë në të gjitha drejtimet, ai financiar është i pashmangshëm”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se synimi është që gjuha angleze të jetë pjesë e lëndëve mësimore qysh në klasë të parë.
“Do të fusim anglishten qysh në klasën e parë, është e rëndësishme që të bëjmë t gjithë përpjekjet që anglishtja të bëhet gjuha e dytë, shqipja dhe anglishtja duhet të jenë dy gjuhë të cilat ambicia jonë duhet të jetë që fëmijët e Shqipërisë të mund ti përdorin më së miri për nevojat e tyre, edhe kjo është një sfidë. Është një nga ato risitë që i duhen Shqipërisë dhe fëmijëve”, u shpreh Rama.
Edi Rama: Është privilegj që sot mund t’ju them një faleminderit të madhe të gjithëve ju. Nuk besoj se ju mbetet hatri disa kokrrave që janë si hudhra këtu, por edhe burrat dhe djemtë janë këtu për të njëjtën arsye, për kontributin e jashtëzakonshëm që gjithë ky grup ka dhënë në një moment kaq të jashtëzakonshëm. Dua t’ju rrëfej që momentin kur sfida me armikun e padukshëm u shfaq e qartë përpara nesh kjo pjesë që lidhej me domosdoshmërinë për të mbyllur shkollat dhe me riskun e paimagjinueshëm të mos vazhdimit të mësimit ishte ndër më sfidueset. Ministria e Arsimit u kthye në një studio xhirimi të atyre që më pas u bënë mësimet online dhe pastaj edhe mësimet përmes kanalit të RTSH. Realisht është diçka fantastike që u bë e mundur falë jush, falë të gjithë mësueseve që morën përsipër këtë sfidë kaq të madhe dhe bën të mundur që pa orar, ditë natë me një ritëm marramendës të viheshin në dispozicion të nxënësve.
Ishte një punë që ju shërbeu jo vetëm nxënëseve por edhe mësuesve, të gjithë ju u përzgjodhët në bazë të performances tuaj në sistemin tonë. Në kohë krizash ka gjithmonë mundësi të reja dhe fiton kush krizën e kthen në një mundësi dhe pastaj mundësinë arrin ta shfrytëzojë për ta kapërcyer krizën duke avancuar më tutje. Sot kur ne jemi duke dalë nga tuneli i pandemisë kemi një aset të cilin nuk do ta kishim nëse kjo krizë nuk do na kishte imponuar këtë punë me kaq shumë ritëm dhe me kaq shumë efikasitet. Ky është një aset që na vlen edhe sot, por do na vlejë edhe nesër. Kjo është një eksperiencë që na ka mësuar gjëra që nuk do i kishim mësuar dot ndryshe. Marrëveshja për “RTSH Shkollë” është bërë për 48 orë. Ne jemi përballur prej vitesh me fenomenin shqetësues të klasave kolektive, ashtu siç kemi pasur në planet tona digjitalizimin. U desh kriza që jo vetëm të krijonim një produkt të modeluar për kushtet e krizës por edhe të mësonim se zotëruam për një arsye tjetër edhe një instrument për të përballur sfidën e klasave kolektive duke arritur nëse do duam që të jua çojmë shkollën fëmijëve në ato zona dhe në hapësirat ku vazhdon mësimi drejtpërdrejtë në shtëpitë e tyre. Mësimi online nuk mund ta zëvendësoje kurrë mësimin e e drejtpërdrejtë. Mësimi online nuk e ka atë energji që krijohet mes mësuesit dhe nxënësve, por është një vlerë e shtuar.
Hallkat e tjera të digjitalizimit të sistemit tonë nuk duhet të presim ti lidhim në rrugën e para krizës, qoftë në aspektin e shpejtësisë apo të kapacitetit tonë. Ky grup njerëzish nuk është thjesht sot grupi i mësuesve që realizuan këtë produkt por ka sot një dije të veçantë për një proces të ri dhe të pa ndodhur më parë në Shqipëri. Jam shumë krenar për mësuesit dhe mësueset por jo për drejtorët, për faktin se është falë jush që reforma dhe gjithë proceset kanë pasur rezultat si rrjedhojë e kapacitetit tuaj për ta rritur cilësinë e mësimdhënies në kushte programimi, organizimi. Jam krenar që sot ne kemi në Shqipëri mësues të qetë, të qetë në raport me të drejtën e ushtrimit të profesionit të tyre, të patrazuar nga politikë, për arsye bindjesh.
Top Channel