Gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u pritën në Bruksel në një darkë informale nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Zëvendës presidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell bashkë me Komisionerin për Zgjerimin Oliver Várhelyi.

Zoti Borrel pak përpara nisjes së kësaj darke bëri këtë koment: “Është një traditë pasja e tilla diskutimeve në lidhje me rajonin për rajonin. Është një takim informal që na mundëson, për të folur hapur për situatën dhe sfidat në rajonin e Ballkanit Perëndimor, një rajon strategjik për rajonin. Do të na duhet të flasim për një tabllo të gjerë të situatës politike. Për ne Ballkani perëndimor është një prioritet me rëndësi dhe këtë e dëshmon ky takim me 6 udhëheqësit e Ballkanit. Në këtë takim krahas zgjerimit ne duam të flasim edhe për një sërë aspektesh të tjera gjeo-strategjike. Ne jemi këtu për ti dëgjuar udhëheqësit e Ballkanit për shqetësimet që ata kanë dhe kuptuar, idetë e tyre dhe si mund të punojmë bashkërisht më mirë”.

Serbinë në këtë takim e ka përfaqësuar kryeministria Ana Brnabiç e cila shpreson se “viti 2021 do të jetë më i suksesshëm për Serbinë dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Ajo tregoi se me Albin Kurtin nuk ka pasur bisedime të ndara. Brnabiq tha se gjatë darkës nuk ka pasur provokime dhe se ata janë përpjekur të bisedojnë për të ardhmen. “Një prej tyre është që kur vijnë në Serbi, Maqedoni të Veriut apo në Shqipëri, shtetasit e këtyre vendeve nuk kanë nevojë për pasaportë, por kalojnë vetëm me letërnjoftime. Gjërat e tilla duhet të vazhdojnë të promovohen“, theksoi Brnabiç.

Top Channel