Top Story/ Dekorata për influenca politike, Meta për 2020-ën akordoi 225 medalje

18/05/2021 23:45

Përdorimi i dekoratave për influenca politike është një element që nuk mund t’i shpëtojë opinionit. Referuar listës së dekoratave të shpërndara nga presidenca, konstatohet lehtësisht se numri i medaljeve të shpërndara, rritet ndjeshëm në prag fushatash elektorale.

Studiusit e kësaj fushe e ligjërojnë këtë fenomen me projektin politik që ka presidenti nga partia ku katapultohet në krye të shtetit. Si pasojë ata përdorin çdo instrument në favor të partisë së tij. Kështu ka ndodhur edhe me medaljet.

“Kryetari i shtetit ka program politik. Këtu nuk është çështje vetëm e Ilir Metës, është çështje e Bujar Nishanit, e Bamir Topit që ishin në moshë shumë të re në krye të shtetit dhe natyrisht që kanë një program politik dhe i shërbejnë atij dhe është mëse e ligjshme. Dhe çdo mjet që i shërben këtij program politik e përdorin. Siç është katandisur historia e dekorimeve në Shqipëri që përdoret në funksion të një programi politik që do ta ndjeki pas presidencës” u shpreh Artan Lame, Studiues.

Konkretisht presidenti Ilir Meta, ka qenë shumë i kursyer në dhënien e medaljeve gjatë vitit të parë të presidencës dhe deri në gjysëm e dytë të vitit 2018. Por me afrimin e zgjedhjeve lokale të 2019-ës, shtohen edhe medaljet që ai jep. Kështu vetëm për 5 muajt e parë të 2019-ës, Meta shpërndau 70 medalje. Ndërsa në vitin 2020 mund të themi se Meta vendosi një rekord të paimagjinueshëm dhe të pakrahasueshëm me askënd duke shpërndarë plot 225 dekorata dhe medalje nderi.

“Ka edhe një qasje tjetër që e kanë zgjedhur presidentët e fundit, të cilët në përpjekje për të rritur një lloj emolucioni, një lloj krenarie individuale dhe kolektive për brezat që po shuhen. Pse jo edhe për trafik influence e kanë shtuar numrin e tyre” u shpreh Mentor Nazarko Politolog
Një ndër to ishte edhe mjeku Petrit Bara, i cili ka drejtuar për vite me radhë faultetin e infermierisë në Tiranë, dhe u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”. Dyshimet se këto medalje janë përdorur për influenca politike përforcohen nga fakti se Bara kandidoi për deputet në Tiranë, në siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në fillim të vitit 2019, edhe Arben Tafaj i Partisë Demokratike, i cili ka drejtuar për vite me radhë njësinë bashkiake numër 8 në Tiranë, u nderua me titullin “Për Merita të veçanta Civile”. Kolonel Dritan Demiraj, ish ministri teknik i Partisë Demokratike, po ashtu u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Dekorimi më 2019, i ambasadores greke Eleni Sourani, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skëndërbeut”, shkaktoi një tjetër furtunë në debatin publik.
Me motivacionin “për kontributin e çmuar në marrëdheniet shqiptaoro-greke”, Sourani është një figurë mjaft e kontestuar. Ajo kërkoi heqjen e pllakatës çame nga sheshi “Skënderbej” dhe po ashtu ka mohuar në vijimësi dhe publikisht ekzistencën e Çështjes Çame dhe masakrën e shqiptarëve të Çamërisë.

Siç duket, presidentët nuk kanë mundur të tejkalojnë ngjyrat politike që kishin kur u ulën në atë karrige duke e bërë të pavlerë sloganin se “presidenti është i të gjithëve”.

Emisioni i plotë

Top Channel