Vllaznia rindez ëndrrën për titullin kampion. Skuadra shkodrane triumfoi me rezultat minimal ndaj Kastriotit dhe rikthehet plotësisht në garë për trofenë më të rëndësishëm në vend, me Partizanin dhe Teutën që kryesojnë me vetëm dy pikë më shumë.

“Në Loro Boriçi” vendosi goli i Haris Dilaver 12 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Kastrioti mund të ngushëllohet me faktin që rivali I drejtpërdrejtë, Bylisi u mposht nga Kukësi, që do të thotë se një fitore e krutanëve në ndeshje ndirekte me ballshiotët i shpëton matematikisht nga rënia direkt në të parën një javë para fundit.

Sfida nisi me Vllaznisë dominuese në lojë, e reflektuar edhe në raste shënimi. Aksion u bukur i vendësve në minutën e shtatë me protagonistë Imerin, Avdiajn dhe Victor Da Silvën, me brazilianin që goditi shtyllën. Kuqeblutë nuk heqin dorë në sulmet, në të 15-tën lëviz bukur nga e djathta Ardit Hoxhaj, i cili shërben në zonë për Avdijajn, që shkarkon të djathtën, por Hidi i mohon golin sulmuesit të Vllaznisë.

Momenti më i mirë për krutanët në këtë fraksionin është ai i minutës së 38-të, me Xhulio Mehmetin që tenon me të majtën nga jashtë zonës, por topi shkon mbi tra. Da Silva sërish i rrezikshëm në të 42-tën, këtë herë nga distanca, por Hidi nuk surprizohet, duke e devijuar topin në këndore.
Pjesa e dytë nisi me drithërima në portën e Vllaznisë, pas tentativës së Shkallës me kokë. Në të 53-tën Marku i Vllaznisë tund rrjetën e jashtë në një pozicion të prirët.

Moraes për pak bën mrekullinë në të 58-tën me një të majtë të kalibruar, por reagon bukur Zogovic. Shfaqet sërish rrezikshëm Kastrioti, me Hussein që krijon hapësirën e nevojshme për të goditur portën në minutën e 73-të, por fluturon Zogovic, që devijon në fundore. Shpërthen festa në “Loro Borici” në minutën e 78-të, Dilaver i asistuar nga Kruja nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë.

Kuqeblutë e administruan me qetësi lojën në minutat e fundit, duke iu gëzuar një fitoreje pa shumë shkëlqim, por shumë të rëndësishme për objektivin madhor të sezonit. Në javën e 35-të skuadra e Brdaric do të ketë përballjen e drejtpërdrejtë me Partizanin.

Top Channel