Shehi pas barazimit: Ndaj Laçit finalja jonë për Europën, ja pse Danso nuk luante!

14/05/2021 00:47

Orges Shehi nuk e bëri dramë barazimin në derbin edhe pse Tirana doli përfundimisht nga gara për titullin. Trajneri i Tiranës në mikrofonin e Supersport theksoi se sfida e ardhshme ndaj Laçit do të jetë si një finale për Europën dhe se Tirana e ka vetë në dorë fatin e saj. Shehi tregoi edhe arsyen se përse Danso nuk ka luajtur në ndeshjet e kaluara duke vlerësuar paraqitjen e afrikanit.

“Ndeshje derbi janë të luftuara, të forta në çdo sektor të fushës. Maksimumi 1-2 raste ke. Kemi bërë mirë mendoj. Bëmë presing në fillim, më pas u shkëputën repartet dhe Partizani përfitoi. Në pjesën e dytë u munduam të dalim përpara me sulmuesit tanë, që i kemi të shpejtë. Të vjen keq, pasi kemi rikuperuar shumë pikë. Europa varet nga ne, pasi të hënën luajmë një ndeshje direkt me Laçin”.

“Danso? E çuam tek U21, pasi donte formacionin me çdo kusht dhe nuk vinte në grumbullim. E kam marrë në skuadër pa folur me presidentin dhe i thashë që të vijë nëse do të presë shansin e tij, nëse ka ndryshuar mendim. E pa që nuk kishim inat me të, e aktivizuam me Kastriotin dhe Vllazninë”.

“U paraqit mirë dhe i kisha thënë që gjithë inatin që kishte me mua ta shfaqte në fushë. Në fund luajti mirë. Ai është pjesë e skuadrës, me paraqitjen e sotme e meriton formacionin. Nuk ka trajner që pranon që një lojtar të thotë dua të luaj në formacion ose iki nga grumbullimi. Ka reaguar, e ka merituar të luajë dhe bravo i qoftë”.

“Asnjë gjuajtje në portë? Të jem i sinqertë e kishim përgatitur ndeshjen që të bënim sulme të shpejta, të tentonim thellësinë. Raste janë të pakta në derbi, nuk i shfrytëzuam ato që krijuam. Kur luan në orën 19:00 dhe rivalët e di si kanë dalë, edhe një barazim pranohej. Në fund madje u irritova, pasi lojtarët shkuan para dhe na vunë në rrezik. Më mirë barazim dhe me 3 pikë diferencë me rivalin, se sa me 4 pikë diferencë”.

Top Channel